Arabia Saudite njofton investime me vlerë 6.4 miliardë dollarë në Siri
Arabia Saudite njoftoi të enjten investime prej 6.4 miliardë dollarësh në Siri, ndërsa kërkon të rindërtojë Sirinë pas një lufte civile 14-vjeçare.
Marrëveshjet dhe memorandumi i mirëkuptimit u nënshkruan në Forumin e Investimeve Siriano-Saudite që u mbajt në Damask, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Siç thuhet më tej, në prani të presidentit sirian Ahmed al-Sharaa, u zhvillua një shkëmbim marrëveshjesh midis subjekteve saudite dhe siriane nga sektori publik dhe privat, duke mbuluar fusha të ndryshme si telekomunikacioni, siguria kibernetike dhe aviacioni.
Një delegacion i lartë saudit i udhëhequr nga ministri i Investimeve Saudite, Khalid al-Falih mbërriti në Damask të mërkurën për të marrë pjesë në forum, i cili u lansua nën drejtimin e Princit të Kurorës Mohammed bin Salman si pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar rindërtimin e Sirisë.
Duke folur në hapjen e forumit, al-Falih tha se "47 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi do të nënshkruhen me vlerë 24 miliardë SR (6.4 miliardë dollarë)".
Ai shtoi se Kompania Saudite e Telekomunikacionit (stc Group) do të jetë midis kompanive saudite që do të nënshkruajnë marrëveshje me Sirinë për zhvillimin teknologjik.
Marrëveshjet e investimeve përfshinin 2.93 miliardë dollarë për pasuri të paluajtshme, shtoi al-Falih.
Al-Falih theksoi gjithashtu se vizita e delegacionit në Damask pasqyron mbështetjen e Arabisë Saudite për Sirinë, ndërsa njoftoi se Këshilli i Biznesit Saudito-Sirian do të krijohet sipas direktivave të MBS. /Telegrafi/






























