Analizë: Liverpooli po kthehet në elitë

Pa marrë parasysh detajet e marrëveshjes, apo incidentet që ai ka bërë vitin e fundit, vendimi i Luis Suarez për të nënshkruar një kontratë të re me Liverpoolin konfirmon statusin e The Reds si forcë elitare në Ligën Premier.
As edhe tifozi më optimist i Liverpoolit nuk ka mundur të imagjinojë se aq lehtë, shpejtë dhe në mënyrë të qetë drejtori Ian Ayre do të mund të arrinte marrëveshje me agjentin Pere Guardiola pas udhëtimit me aeroplan privat në Barcelonë.
Përderisa rivali i përbetuar në Old Trafford po vuan që të bindë dy lojtarët e klasit botëror, Robin Van Persie dhe Wayne Rooney që të rinovojnë dhe t’ia dedikojnë të ardhmen klubit nën regjimin e David Moyes, Liverpooli ka arritur të cementojë shërbimet e një prej lojtarëve më të mirë në botë pa shumë spekulime, fjalë e lojë sikur maca me miun.
Tashmë është brengë e të nesërmes fakti se Real Madridi mund të vijë me një ofertë gjatë verës të tipit të Gareth Bale, një ofertë që do të ishte vështirë e refuzueshme për Liverpoolin. E përsërisim, ky është problem i të nesërmes me të cilin Liverpooli duhet që të merret.
Tani për tani, Liverpooli është dy pikë larg kreut të tabelës dhe mund të jetë lider nëse rezultatet shkojnë si duhet jo më larg se në fillim të vitit të ri.
Klubi nga Anfield hyn në periudhën festive pa dyshime se ylli i tyre mund të tërhiqet nga ndonjë klub i madh, nëse jo në aspektin afatgjatë, kjo përbën përndryshe edhe një fitore të madhe për bashklojtarët e Suarezit, menaxherin e tij dhe pronarët e klubit, që kanë bërë të pamundurën gjatë verës për të injoruar dëshirën e tij për t’u larguar ng aAnfield, duke djegur çdo urë të mundshme që e lidhte atë me një largim.
Edhe pesë muaj kanë mbetur nga suksesi i parë i Suarez, përfundimi për herë të parë i Liverpoolit në top katërshe që prej vitit 2009, teksa efekti i tij mund të vërehet edhe në luftën për titull nëse përsëritet një prej performancave më autoritative dhe më të forta të Liverpoolit ndër vite – fitorja prej 5-0 ndaj Tottenhamit fundjavën e kaluar.
Sidoqoftë, të gjithë jemi dëshmitarë se ndeshjet e vogla kanë vendosur titullin në sezonet e fundit dhe është fantastike mënyra se si Brendan Rodges i ka fituar këto ndeshje të vogla përgjatë këtij sezoni me një Suarez shumë mirë të komponuar në sulm. Më meritoi është pikiërsht Rodgers ai që e ka kthyer Suarezin këtu në formën prej 17 golave në 11 ndeshjeve pas gjithë atyre problemeve disiplionre dhe incidenteve që e karakterizuan uruguaianin gjatë vitit të fundit.
Përpos faktit se ai ka arritur që me mjeshtri të balansojë personalitetin delikat të Suarezit, një gjë që Rodgers u dëshmua më i mirë se sa Kenny Dalglish, është se Rodgers ka arritur që ta zhvillojë në ekstremin e mundshëm Suarezin, nga një sulmues tipik në një prej vrasësve më të rrezikshëm e më vdekjeprurës në Ligën Premier.
Një gjë është e sigurtë – po vijnë kohëra të mira për Liverpoolin. Është i pashmangshëm rikthimi në elitë i këtij klubi, që ka një sulmues të talentuar si Suarez dhe një menaxher që ka arritur të shndërrojë një numër lojtarësh të nivelit mesatarë pa kurrfarë drejtimi në lojë, në një ekip koheziv dhe njësi të bashkuar që luftojnë për njëri-tjetrin. /Telegrafi/




















































