Ekzaminimi apo analiza rutinë e urinës është një analizë e thjeshtë që kryhet për një kohë të shkurtër, por që na jep një pasqyrë të funksionit të veshkave dhe rrugëve urinare.
Dr. Shpresa Huruglica
Specialiste e Biokimisë klinike
tel: 044 / 413-928
Për analizën rutinë të urinës preferohet të merret urina e parë e mëngjesit. Sidoqoftë, varësisht nga kërkesa e mjekut analiza e urinës mund të bëhet në çfarëdo kohe dhe pa marrë parasysh se është ushqyer apo jo pacienti. Fillimisht pjesa e parë e urinës derdhet në mënyrë që të shpërlahet uretra dhe merret pjesa e mesme urinës. Urina duhet të grumbullohet në një gotë sterile dhe për analizën rutinë të urinës mjaftojnë 20 – 30 ml urinë. Koha nga urinimi e deri te kryerja e analizës nuk duhet të kalojë më gjatë se 2 orë.
Analiza apo ekzaminimi rutinë i urinës kryhet në 3 etapa ose pjesë: 1. Përshkrimi i vetive fizike dhe kimike, 2. Ekzaminimi kimik dhe 3. Ekzaminimi i sedimentit të urinës.
Te PËRSHKRIMI I VETIVE FIZIKE DHE KIMIKE të urinës hyjnë pamja e urinës, ngjyra, era, pesha specifike dhe pH (reaksioni).
Pamja e urinës – në gjendje normale në shumicën e rasteve urina ka pamje të kthjellët. Urina merr pamje të turbullt në raste të proceseve inflamatore të traktit urinar që shoqërohen me prani të leukociteve në urinë, baktereve, qelizave epiteliale, mukusit, kërpudhave dhe kristaleve. Shpeshherë urina është e turbullt edhe në gjendjet normale atëherë kur kemi prani të kripërave të urateve amorfe apo fosfateve amorfe.
Ngjyra e urinës – urina në gjendje normale ka ngjyrë të verdhë, por intensiteti i ngjyrës së verdhë ndryshon varësisht se sa është e koncentruar urina. Ngjyra e urinës mund të ndryshojë në gjendjet normale dhe ato patologjike të organizmit. Urina merr ngjyrë (i) trëndafili, atëherë kur konsumohen sasi të mëdha të rrepanit të kuq dhe manaferrave, (ii) ngjyrë porokalli nga përdorimi i karotave dhe vit.A, (iii) ngjyrë të errët-kafe kur kemi rritje të bilirubinës e cila është zakonisht një shenjë e dëmtimit të mëlçisë dhe rrugëve biliare, (iv) ngjyrë të kuqe kur kemi prani të gjakut në urinë e cila zakonisht është shenjë e proceseve të ndryshme inflamatore të veshkave dhe rrugëve urinare, pranisë së gurëve apo gjatë traumave.
Pesha specifike – përcakton aftësinë e veshkave për të përqendruar urinën. Vlerat referente të peshës specifike janë 1,010-1,025 dhe këto vlera ndryshojnë në varësi të sasisë së lëngjeve të marra, ku me rritjen e volumit të urinës (rastet kur marrim shumë lëngje) ulet pesha specifike dhe e kundërta. Pesha specifike ulet te diabeti insipid, insuficienca e veshkave dhe nekroza e tubujve veshkorë. Rritje të peshës specifike kemi te diabeti mellitus, sëmundja Addison, gjatë humbjes së lëngjeve trupore nga të vjellat, diarreja dhe temperatura e lartë.
Reaksioni ose pH e urinës – është ndërmjet 4.8 dhe 8.0. Përcaktimi i pH ka rëndësi te veçantë te pacientët që vuajnë nga gurët në veshka dhe rrugë urinare. Këta pacientë, varësisht nga lloji i gurit, duhet t’i nënshtrohen dietës dhe mjekimit në mënyrë që të ndryshojnë pH e urinës dhe në këtë mënyrë ta parandalojnë formimin e gurëve. pH e urinës mund të ndryshohet me anë të ushqimit dhe me përdorimin e barërave. Gjatë marrjes së ushqimit vegjetarian urina është alkalike, ndërsa kur marrim ushqim me mish dhe proteina kemi urinë acidike.
EKZAMINIMI KIMIK I URINËS mundëson përcaktimin e proteinave në urinë, glikemisë, trupave ketonikë, nitrateve, esterazës leukocitare, urobilinogjenit dhe bilirubinës.
Proteinat – në urinën normale ndodhen sasi minimale të proteinave. Një rritje të lehtë (fiziologjike) të proteinave në urine e kemi gjatë aktivitetit të rritur fizik, tek ata që rrinë për një kohë të gjatë në këmbë dhe gjatë shtatzënisë. Shfaqja e proteinave në urinë në të gjitha rastet e tjera është shenjë e një procesi inflamator të veshëve, tubujve renal, fshikëzës urinare dhe sëmundje tjera jorenale: hipertiroidizem, trauma, sepsë, mielome multiple etj.
Glukoza – në urinë shfaqet atëherë kur vlerat e glukozës në gjak kalojnë pragun reabsorbues të tubujve e që është mbi 10 mmol/L. Haset te diabeti i pakontrolluar, sindroma Kushing, sindroma Fancon etj.
Trupat ketonikë (Acetoni) – në gjendje normale janë negative. Trupat ketonikë pozitiv shpeshherë janë të pranishëm të diabetikët, pas të vjellave apo atëherë kur nuk kemi ngrënë për një kohë të gjatë dhe tek shtatzënat. Trupat ketonikë pozitiv janë tregues i fillimit të keto-acidozës.
Bilirubina – në gjendje normale është negative. Bilirubina pozitive në urinë mund të jetë rezultat i dëmtimit të mëlçisë ose rrugëve biliare.
Nitritet – në urinën normale janë negative. Nitritet pozitive janë tregues i pranisë së një numri të madh të baktereve gram negative në traktin urinar. Bakteret gram negative përmbajnë enzimën reduktazë, e cila shndërron nitratet ushqimore në nitrite duke i dhënë kështu pozitiv në urinë. Ndërkaq testi i nitriteve negativ nuk do të thotë se urina nuk përmban baktere.
EKZAMINIMI I SEDIMENTIT URINAR, dmth. ekzaminimi mikroskopik i sedimentit të përfituar pas centrifugimit të urinës. Sedimenti shikohet në mikroskop dhe lexohen për fushë mikroskopike numri i eritrociteve, leukociteve, qelizave, prania e baktereve, kristaleve, kripërave etj.
Gjaku në urinë – në gjendje normale gjenden sasi shumë të vogla të eritrociteve në urinë 2–4 eritrocite për fushë mikroskopike. Rritja e numrit të eritrociteve në urinë mund të jetë rezultat i infeksionit të veshkave dhe rrugëve urinare, te glomerulonefritet, pranisë së gurëve apo rërës në rrugë urinare, traumave të rrugëve urinare, tumoreve, te zmadhimi i prostatës, pas punës së rëndë fizike etj.
Leukocitet – urina normale përmban një numër të vogël të leukociteve, 4–5 leukocite/fushë mikroskopike. Rritja e numrit të leukociteve në shumicën e rasteve haset te infeksionet e rrugëve urinare (e me pak të veshkave) e që shoqërohen me prani të baktereve në urinë, te gurët në rrugë urinare, te tumoret e prostatës, pas përdorimit të konsiderueshëm të barërave etj.
Qelizat epiteliale pllakore – janë epitele të rrugëve urinare të shpeshta në urinën normale dhe nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe diagnostike. Qelizat epiteliale veshkore në gjendje normale janë shumë të rralla, kështu që prania e tyre në urinë na bën të dyshojmë për dëmtime të veshkave.
Bakteret – në urinën normale ekziston prani e baktereve në urinë e që është mikroflorë normale e traktit urinar. Në rastet kur kjo prani e baktereve rritet dhe shoqërohet me rritje të numrit të leukociteve në urinë dyshohet se kemi të bëjmë me infeksion të traktit urinar dhe rekomandohet të bëhet urinokultura. Rritja e baktereve në urinë haset më shpesh në rastet kur kemi anomali të rrugëve urinare, stazë të urinës, prani të gurëve dhe trupave të huaj (gjatë kateterizimit).
Cilindrat – ekzistojnë një numër cilindrash të cilët formohen në tubuj renalë, prej nga edhe e marrin formën e tyre. Cilindrat hialin gjenden edhe në urinën normale, ndërkaq prania e cilindrave granularë, leukocitarë, eritrocitarë, të lëmuar, dyllorë dhe epitelial hasen te proceset inflamatore të veshkave, glomerulonefriti, pielonefriti, sindroma nefrotike, lupus etj.
Kristalet – janë shpesh të pranishme në urinë. Ato janë të ndryshme dhe disa gjenden vetëm në urinën acidike e disa në urinën alkalike. Për shembull kristalet e acidit urik, kalcium oksalatit gjenden në urinën acidike, ndërsa kristalet e tripel fasfatit, karbonat kalciumit, fasfatit të kalciumit gjenden në urinën alkalike. Kristalet formohen gjatë metabolizmit, nga përdorimi i disa llojeve të ushqimeve dhe barërave. Ato mund të gjenden në urinën normale, por edhe në rastet e infeksionit dhe inflamacionit të veshkave dhe rrugëve urinare. Kristalet mund të bëhen pikënisje për formimin e rërës dhe gurëve në traktin urinar e sidomos në rastet kur shoqërohen me stazë të urinës.
Kripërat – janë shpesh të pranishme në urinën normale dhe i japin urinës pamje të turbullt. Prania e kripërave në urinë nuk ka ndonjë rëndësi diagnostike. Në urinën acidike gjenden kripërat e urateve amorfe, ndërsa në urinën alkalike kripërat e fosfateve amorfe.
Mukusi – prania e muksit në urinë nuk ka vlerë diagnostike.
Sperma – prania e spermës në urinë haset pas ejakulimit, infeksionit dhe hipertofisë së prostatës.
/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian