Please enter at least 3 characters.

Zyrtari i lartë gjerman bën thirrje për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Drejtori për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, ka zhvilluar një vizitë dyditore në Kosovë më 10 dhe 11 gusht.

Gjatë qëndrimit, ai u takua me një gamë të gjerë liderësh politikë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

Reiffenstuel pati takime edhe me kryetarët e partive kryesore opozitare, Memli Krasniqin nga PDK dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së.

Në Mitrovicë, ai u takua me përfaqësues të partive serbe të Kosovës dhe të shoqërisë civile, si dhe zhvilloi një takim me komandantin e KFOR-it.

Në takimet me përfaqësuesit politikë të Kosovës, ai theksoi domosdoshmërinë e respektimit dhe zbatimit të plotë të vendimit më të fundit të Gjykatës Kushtetuese, për t’i dhënë fund bllokadës politike.

Gjithashtu, përsëriti pritshmërinë e Gjermanisë që të gjitha subjektet që plotësojnë kriteret të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Reiffenstuel riafirmoi mbështetjen e plotë të Gjermanisë për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Peter Sörensen, në përpjekjet e tij për të avancuar dialogun e normalizimit të lehtësuar nga BE-ja. Ai theksoi se angazhimi konstruktiv i Kosovës është thelbësor për suksesin e procesit të integrimit evropian, të cilin Gjermania e mbështet fuqishëm./Telegrafi/