Please enter at least 3 characters.

Zyrtare: Arsenali përforcon sulmin me Christos Tzolis

Arsenali ka zyrtarizuar transferimin e anësorit Christos Tzolis nga Club Brugge, duke vazhduar përforcimet për sezonin e ri.

Sipas burimeve të ESPN, klubi londinez ka paguar rreth 40 milionë euro për kartonin e futbollistit grek.

Tzolis pritet të rrisë konkurrencën në repartin ofensiv të skuadrës së Mikel Artetës, pas largimit të Leandro Trossard, i cili iu bashkua Besiktasit në një transferim me vlerë rreth 17.9 milionë euro.

24-vjeçari zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm me Club Brugge, duke shënuar 22 gola dhe duke dhuruar 29 asistime në 52 paraqitje në të gjitha garat.

Ai është gjithashtu pjesë e rëndësishme e kombëtares së Greqisë, me 34 ndeshje dhe nëntë gola të realizuar.

Karrierën e nisi te PAOK-u, ndërsa më pas u transferua te Norwich City, ku zhvilloi 14 ndeshje në Ligën Premier. Debutimin në elitën angleze e bëri pikërisht në stadiumin ‘Emirates’, përballë Arsenalit.

Pas aventurës në Angli, Tzolis luajti për Twenten në Holandë, Fortuna Dusseldorf në Bundesligën 2 të Gjermanisë dhe së fundmi për Club Brugge në Belgjikë.

Me transferimin e tij, ai bëhet një nga afrimet e verës për Arsenalin, së bashku me Piero Hincapie, transferimi i të cilit u bë i përhershëm pas huazimit, si dhe portierin Illan Meslier, i ardhur si lojtar i lirë nga Leeds United./Telegrafi/