Please enter at least 3 characters.

Zvicra e Yakin publikon listën me dy shqiptarë, Xhaka dhe Jashari në Kupën e Botës

Skuadra kombëtare e Zvicrës për Kupën e Botës, nën drejtimin e Murat Yakin, është finalizuar dhe tashmë nuk ka më dilema, pasi kishte zgjedhur një mënyrë jo natyrale, përmes “gjuetisë së thesarit” në rrjetet sociale që u zhvillua të hënën dhe të martën, ndërsa tani të gjithë emrat janë konfirmuar zyrtarisht.

Siç ishte paralajmëruar edhe më herët, lista nuk solli surpriza, ndërsa pjesë e saj janë Granit Xhaka (Sunderland) dhe Ardon Jashari (Milan).

Disa lojtarë të rinj dhe emra që kanë qenë në formë të mirë kohët e fundit mbeten në listën e pritjes. Mes tyre përmenden Sascha Britschgi, Zachary Athekame, Alessandro Vogt dhe portieri Anthony Racioppi. Po ashtu, në gatishmëri janë edhe Alvyn Sanches dhe Joel Monteiro.

Të martën në mbrëmje, Shoqata Zvicerane e Futbollit (SFV) publikoi listën e plotë të ftuarve, ku bëjnë pjesë edhe dy futbollistë të Thunit, kampionit të fundit, Ethan Meichtry dhe Michael Heule, por mungon Kastriot Imeri.

Të mërkurën, Murat Yakin do të mbajë një konferencë për shtyp, ku pritet të shpjegojë zgjedhjet e tij dhe planin e përgatitjeve.

Zvicra do të mblidhet për stërvitje më 25 maj, ndërsa më 31 maj do të luajë një miqësore kundër Jordanisë në St. Gallen. Pas kësaj, Zvicra do të udhëtojë drejt SHBA-së, në prag të nisjes së Kupës së Botës më 11 qershor. /Telegrafi/