Zverdhja e syve? Kirurgu tregon kur një gur i vogël mund të rrezikojë mëlçinë dhe pankreasin
Kirurgu abdominal Arbër Morina gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, ka shpjeguar një nga komplikimet më serioze që lidhen me gurët në idhëz – bllokimin e kanaleve kryesore që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionin e mëlçisë dhe pankreasit.
Sipas tij, problemi fillon në momentin kur një gur i vogël migron nga idhëza dhe bllokon kanalin kryesor të mëlçisë, duke penguar zbrazjen normale të lëngut biliar.
“Kur ky gur bllokohet, fillon grumbullimi i lëngut mbi të dhe rritet presioni deri në mëlçi dhe pankreas”, shpjegon Morina .
Ai thekson se në fazat e para, pacienti mund të mos ndjejë dhimbje, gjë që e bën këtë gjendje edhe më të rrezikshme.
Një nga shenjat e para që shfaqet është zverdhja e syve, e cila më pas përhapet edhe në lëkurë.
“Shenja e parë që njerëzit e vërejnë është zverdhja e pjesës së bardhë të syrit”, shton ai.
Kjo ndodh për shkak se mëlçia nuk arrin të zbrazë lëngun biliar, i cili fillon të grumbullohet në organizëm.
Me kalimin e kohës, pacienti mund të përjetojë edhe kruarje të trupit dhe simptoma të tjera që lidhen me këtë gjendje.
Një tjetër rrezik serioz është ndikimi në pankreas, ku sipas Morinës bllokimi i përbashkët i kanaleve mund të çojë në pankreatit akut – një inflamacion i rrezikshëm që kërkon trajtim urgjent.
Megjithatë, Morina thekson se sot kjo problematikë trajtohet me sukses në Kosovë përmes metodave moderne, si ndërhyrja endoskopike ERCP.
Ai shpjegon se kjo procedurë realizohet pa prerje, përmes gojës, duke arritur deri te vendi i bllokimit dhe duke larguar gurin që shkakton problemin.
“Me këtë metodë arrijmë të hapim vendin ku është bllokuar guri dhe ta nxjerrim atë jashtë”, thotë Morina .
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":


