Zjarri në hotelin në Vlorë, mjeku tregon gjendjen e të plagosurve: Një paciente me djegie në 100% të trupit
Shefi i reanimacionit të Vlorës, Edmond Breshanaj, ka folur për momentin e mbërritjes së gjashtë të plagosurve në spital, pas zjarrit që përfshiu një hotel në Lungomare.
Sipas tij, pacientët ndodheshin në katin e dytë. Tre prej tyre kishin pësuar djegie të rënda, ndërsa dy të tjerë ishin hedhur nga kati i dytë dhe kishin pësuar fraktura të kolonës.
“Ishte një situatë shumë emergjente. Bëhej fjalë për 6 pacientë të lënduarr nga zjarri, të cilët ndodheshin në katin e dytë. Tre prej tyre kishin djegie të rënda, ndërsa dy të tjerë ishin hedhur nga kati i dytë dhe kishin pësuar fraktura të kolonës.
Dy prej pacientëve i nisëm drejt Qendrës së Traumës, pasi nuk kishin djegie, ndërsa tre të tjerë u dërguan në repartin e djegieve. I gjithë ekipi u njoftua dhe ishte në gatishmëri për të përballuar situatën.
Pacientët kanë mbërritur rreth orës 4:30. Njëra prej pacienteve, e cila është në rrezik për jetën, kishte djegie në pothuajse 100% të trupit, ndërsa një tjetër rreth 50%. Bëhet fjalë për persona të moshave të reja, rreth 25-30 vjeç. Ata ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri prej pacientëve nga Rrësheni”, tha Edmond Breshanaj.
Zjarri në hotelin në Lungomare ka nisur nga lokali në katin e parë dhe është përhapur edhe në katin e dytë të ndërtesës, ku ndodhet hoteli./tch/


