Zhduket busti i diktatorit Enver Hoxha
Busti i Enver Hoxhës është punuar nga skulptori, Odise Paskali dhe gjendej deri në vitin 1981 në Fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Fondi i Galerisë së Arteve ka ndërmarrë një aksion për kthimin në fondin e saj të veprave, që ndër vite janë marrë nga institucionet shtetërore për të mos u kthyer më.
Gjashtë vepra, ndër të cilat busti i diktatorit, Enver Hoxha, dy tablo të piktorit të zëshëm, Vangjush Mio, një vepër e piktorit Pashk Shoshi, një e piktorit Jorgji Gjikopulli dhe “Valltarët në allçi” të skulptorit Sofokli Koçi rezultojnë të zhdukura. Ndër 11 veprat që ka marrë për ekspozim Ministria e Jashtme, çka e vërteton dokumentacioni i Galerisë Kombëtare të Arteve, vetëm katër prej tyre janë gjendur dhe janë rikthyer në galeri.
Ndërkaq burime konfidenciale pranë Galerisë së Arteve bëjnë me dije se, një tjetër vepër është refuzuar t’i rikthehet fondit të galerisë , nga një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme, i cili ka vendosur ta mbajë atë në zyrën e tij edhe pas kërkesës së galerisë për t’ia rikthyer institucionit, të cilit i përket. Vjen të theksohet se kjo vepër e ka tejkaluar prej 20 m vjetësh afatin për t’u ekspozuar në një tjetër mjedis, që nuk është Galeria Kombëtare e Arteve./shekulli/Telegrafi/


