Please enter at least 3 characters.

Zbulohet skena spektakolare e Eurovision 2026

Eurovision 2026

ORF dhe European Broadcasting Union kanë publikuar videon e parë të skenës për Eurovision Song Contest 2026.

Me një sipërfaqe prej 2,000 metrash katrorë, 210 ton materiale, 8,500 drita LED dhe dy javë kohë ndërtimi, skena është tashmë gati për 35 shtetet pjesëmarrëse.

Provat e para në sallën Wiener Stadthalle do të nisin më 2 maj.

Organizatorët zbuluan detajet kryesore të dizajnit që në muajin dhjetor. Koncepti është modern dhe bazohet në lëvizjen, lidhjen dhe frymëzimin arkitekturor.

Me një sinjal simbolik nisjeje, presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, shpalli zyrtarisht hapjen e skenës.

Ai u shpreh se Eurovisioni tregon diversitetin e kontinentit evropian dhe identitetin e tij të pasur.

Skena dhe teknologjia

Pika kulmore e teknologjisë së skenës janë mbi 8,500 drita LED të kontrollueshme individualisht dhe 80 mekanizma të shpejtë, që krijojnë një efekt të quajtur “balet drite”.

Për herë të parë në historinë e Eurovisionit, ndriçimi bazohet plotësisht në teknologji LED dhe lazer me efikasitet energjetik.

Ndërtimi i skenës, që mbulon rreth 2,000 metra katrorë dhe peshon 210 ton, u përfundua në më pak se dy javë, me punë intensive 24 orë në ditë.

Në momentet kulmore, deri në 300 persona punonin njëkohësisht.

Eurovision 2026

Elementet kryesore të skenës:

“Gjethja” (Leaf)

Në qendër të skenës ndodhet një instalacion i madh LED në formë gjetheje, që simbolizon rinovimin dhe kreativitetin artistik.

“Vija e lakuar” (Curved Line)

Një strukturë që përshkon skenën, duke krijuar ndjesinë e rrjedhës dhe lëvizjes muzikore, si dhe simbolizon lidhjen mes vendeve pjesëmarrëse.

Struktura

Skena rrethohet nga një strukturë e artë me linja të pastra, e frymëzuar nga arkitektura e Vjenës, duke i dhënë elegancë dhe thellësi vizuale.

Green Room

“Green Room” do të vendoset brenda arenës, duke mundësuar ndërveprim më të afërt mes artistëve dhe publikut.

Një korridor i veçantë do të lidhë skenën me këtë hapësirë, duke u dhënë artistëve mundësinë të kalojnë mes spektatorëve gjatë performancave.

Drejtoresha e përgjithshme e ORF, Ingrid Thurnher, e cilësoi skenën si spektakolare dhe frymëzuese për miliona shikues në mbarë botën, ndërsa drejtoresha e programeve Stefanie Groiss-Horowitz theksoi kombinimin e teknologjisë moderne me identitetin austriak.

Producenti ekzekutiv Michael Kron vuri në pah përmasat gjigante të këtij eventi, duke e cilësuar si një nga prodhimet më të mëdha televizive në botë.

Florian Wieder – mjeshtri i skenave

Koncepti i skenës është krijuar nga Florian Wieder, për të cilin kjo është skena e 10-të në Eurovision.

Ai ka një karrierë të pasur në dizajn skenash për evente të mëdha si “America’s Got Talent”, “Britain’s Got Talent”, si dhe për artistë të njohur si Beyonce, Jennifer Lopez dhe U2.

Wieder ka realizuar gjithashtu skenat e Eurovisionit në qytete si Bazeli (2025), Malmo (2024), Roterdam (2021), Tel Aviv (2019), Lisbonë (2018), Kiev (2017), Vjenë (2015), Baku (2012) dhe Dusseldorf (2011). /Telegrafi/