Please enter at least 3 characters.

Yildiz para përballjes me Real Madridin: Ëndrra ime po bëhet realitet

Ylli i Juventusit, Kenan Yildiz mezi pret përballjen e shumëpritur kundër Real Madridit në “Santiago Bernabeu”, në ndeshjen e tretë të fazës së ligës të Ligës së Kampionëve që zhvillohet të mërkurën.

Juventusi do të jetë mysafir i Realit në mesjavë, ku synon të këndellet pas humbjes befasuese nga Como.

“Çdo fëmijë ëndërron të luajë në atë stadium. Mendoj se është një nga më të mirët në botë dhe të luash atje është një ëndërr që bëhet realitet”.

“Përballja me një klub si Real Madridi në Ligën e Kampionëve është diçka e pabesueshme. Shpresoj gjithçka të shkojë mirë dhe të zhvilloj një ndeshje të madhe”.

Vetëm 20-vjeçar, Yildiz është tashmë në sezonin e tij të tretë me fanellën legjendare nr. 10 të Juventusit – numër që më parë është mbajtur nga emra si Alessandro Del Piero.

Kenan Yildiz

“Fillimisht mendova: ‘A do të mund ta përballoj këtë numër?’ Por më pas nuk i dhashë shumë rëndësi. Numri nuk luan – unë luaj. Dua vetëm të jap gjithmonë maksimumin dhe ta bëj atë fanellë të shkëlqejë”.

I pyetur për krahasimet e shpeshta me Del Pieron, Yildiz u përgjigj me modesti se synon ta krijojë historinë e tij.

“Nuk më pëlqejnë krahasimet. Ai është një legjendë, karriera e tij ka përfunduar – e imja sapo ka filluar. Dua të ndërtoj historinë time. Jam krenar që mbaj numrin e tij, por dua të eci në rrugën time”.

Edhe pse tashmë konsiderohet si një nga talentet më të mëdhenj të rinj në Evropë, Yildiz theksoi se fokusi i tij mbetet vetëm te paraqitja personale.

“Është motivim i madh, por unë përqendrohem vetëm te vetja. Nuk dua të krahasohem me askënd – jam thjesht vetvetja”.

“Sigurisht që më emocionon. Si fëmijë ëndërroja të isha në atë nivel, dhe tani emri im është përkrah lojtarëve më të mëdhenj. Është një ndjenjë krenarie dhe emocion i pabesueshëm”, përfundoi sulmuesi i Juventusit./Telegrafi/