Please enter at least 3 characters.

Xabi Alonso identifikon menjëherë dy gjëra të cilat Alexander-Arnold duhet t’i përmirësojë

Xabi Alonso ka identifikuar menjëherë dy aspektet ku Trent Alexander-Arnold duhet të përmirësohet, pas vetëm një seance stërvitore me Real Madridin. 

Pasi u prezantua zyrtarisht si lojtar i Realit javën e kaluar, pasi klubi spanjoll pagoi 8.4 milionë euro për ta transferuar nga Liverpooli në mënyrë që të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube, Alexander-Arnold iu bashkua shokëve të rinj të skuadrës në Miami përpara ndeshjes së parë të fazës së grupeve ndaj Al Hilal.

E përditshmja spanjolle AS publikoi një raport mbi paraqitjen e Alexander-Arnold në seancat e para stërvitore, duke cituar një burim të brendshëm që tha se ai "erdhi si raketë" dhe ka qenë "si bishë" në aspektin fizik, duke lënë shumë nga bashkëlojtarët e tij të rinj "pa fjalë" me cilësinë e tij me topin.

Ndërsa personaliteti, fiziku dhe aftësia për të goditur nga këndet e kanë impresionuar klubin teksa ai vazhdon të përshtatet, raporti thekson se ai duhet të "përmirësojë mbrojtjen, duelet dhe situatat një kundër një".

Kontributi në sulm i Alexander-Arnold nuk ka qenë kurrë problem, por mbrojtja e tij është kritikuar shpesh, duke qenë mbrojtësi më i dribluar në Ligën Premier që prej debutimit të tij në dhjetor të vitit 2016.

Edhe trajneri Arne Slot ka kërkuar nga reprezentuesi anglez të përmirësojë këtë aspekt të lojës, gjë që tani do të jetë në fokusin e Xabi Alonsos.

Gazeta El Pais ka raportuar se Alexander-Arnold është treguar "veçanërisht i rezervuar" dhe ka qëndruar gjithmonë pranë shokut të skuadrës dhe mikut të tij, Jude Bellingham.

Megjithatë, 26-vjeçari po i shijon jashtëzakonisht shumë seancat e para në ambientin e ri dhe i ka përshkruar stërvitjet si “cilësore” dhe “shumë të ndryshme”./Telegrafi/