Please enter at least 3 characters.

Wes Anderson zbulon se me cilën aktore dëshiron të punojë: E kam telefonuar për katër filma

Stili dallues kinematografik i Wes Anderson ka tërhequr aktorë të shquar të Hollywoodit si Bill Murray, Angelica Huston, Scarlett Johansson, Tom Hanks, Owen Wilson, Ben Stiller, Benedict Cumberbatch, Margot Robbie, Tilda Swinton dhe shumë të tjerë.

Megjithatë, regjisori ka zbuluar se ka një aktore që ai ende nuk e ka sjellë në botën e tij - dhe ajo është Jodie Foster.

Duke folur për Collider, kur u pyet nëse kishte ndonjë person me të cilin nuk kishte punuar ende dhe që do të donte, Anderson u përgjigj: "Kam pasur kaq shumë filma ku jam përpjekur ta zgjedh Jodie Foster-in”.

Regjisori pranoi se i ishte lutur fitueses së dyfishtë të çmimit Oscar të luante në "çdo film", duke shtuar: "Mendoj se e bëra për tre filma radhazi, ndoshta katër".

Anderson tha se e ka takuar Foster dhe mendon se ajo është "e shkëlqyer", duke theksuar veçanërisht debutimin e saj regjisorial, “Little Man Tate”.

Në atë film, Foster luan Dede Tate, nënën e Fred shtatëvjeçar, një fëmijë i talentuar.

"Ajo ka këtë shkëlqim të vërtetë, një lloj lehtësie", tha Anderson për performancën e saj. "Është thjesht një lloj personazhi i ndryshëm”.

Edhe pse regjisori thekson se ende dëshiron ta marrë Jodie Foster, ai arriti në përfundimin se "pas disa përpjekjeve, mendova se ndoshta nuk do të funksiononte".

"Ndonjëherë njerëzit thjesht kanë një ide të qartë për llojin e punës që duan të bëjnë në një pikë të caktuar të jetës së tyre dhe ne nuk përshtateshim. Jodie Foster është vërtet e pabesueshme”. /Telegrafi/