Wall Street luan me fatin e botës?
"Në qoftë se ky problem mund të godasë JPMorgan Chase, i cili ka vlerësim të mirë të riskut, kjo me kohë mund t’ju ndodhë të tjerëve që kanë infrastruktura më të dobëta, si Citigroup dhe Banka e Amerikës", paralajmëron Mike Mayo, analist në Credit Agricole Securities.
Në dy vitet e fundit, shumica e bankave kryesore kanë shuar sistemet kryesore tregtare që i kanë shtyrë në baste të mëdha spekulative për gjithçka dhe çkado – nga drejtimi i lëvizjes së tregut deri te patundshmëritë.
Bankat kanë ndërmarrë atë hap aktiv para se ta aplikojnë në korrik të ashtuquajturin rregull të Volcker-it. Sipas kësaj dispozite, bankat që operojnë me ndihmën federale nuk duhet të hyjnë në lojëra të rrezikshme, gjë që i detyrojnë të vendosin nëse duan të tregtojnë me aksione në llogari të tyre apo të jenë edhe në të ardhmen banka. Jamie Dimon, drejtor tek JPMorgan, është i njohur si një nga kritikuesit kryesor të rregullit Volcker.
Por, basti i dështuar i JPMorgan-it, që është dashur të veprojë si mbrojtje kundër rrezikut, nuk do të konsiderohet si shkelje e këtij rregulli.
“Çfarë do të thotë mbrojtja nga rreziku (hedge) dhe çfarë nënkuptohet me bast? Në shumë situata, në mes të kësaj zgjerohet zona e madhe gri”, thotë Andrew Lo, profesor i financave në Institutin Massachusetts për Teknologji.
Dëmin JPMorgan-it ia ka shkaktuar zyra kryesore e investimeve në Londër, detyra e së cilës ishte që ta mbrojë bankën nga humbjet e mëdha në një mjedis armiqësor.
Në vitet e fundit, nën ndërmjetësimin e Dimonit, në atë zyre janë sjellë tregtarët e aksioneve bankare dhe lojtarët nga fondet hedge, me të cilat bastet spekulative ishin në dispozicion të burimeve të mëdha të bankës.
Dimon është djegur, por detajet e basteve në JPMorgan dhe në bankat tjera mbeten kryesisht të paarritshme.
“Derivatet nuk janë paraqitur në bilance", thotë Lo, duke shtuar se kompleksiteti i veprimeve të tilla përcillet edhe nga paaftësia e kontabilitetit për t’i treguar ato.
Muajin e kaluar, Dimon ka thënë se raportet e mediave për bastet e këqija janë “stuhi në një gotë me ujë”. Në bisedën e fundit për emisionin e NBC-s, “Meet the Press”, drejtori i JPMorgan ka pranuar se ishte plotësisht i gabuar.
"Natyrisht nuk kam ditur, ndryshe kurrë nuk do të thosha diçka të tillë”, është arsyetuar Dimon duke shtuar se rregullatorët kanë të drejtë të bëjnë hetime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe.
Derisa tregjet janë duke pritur detaje të reja për atë se çfarë ka ndodhur tek JPMorgan, analistët dhe tregtarët pajtohen në një gjë: kjo tashti mund të duket si anomali, por me principet e njëjta po humbin miliarda dollarë.
“Jemi dëshmitarë të kësaj në të kaluarën, e do të jemi edhe në të ardhmen”, thotë Mayo. /Telegrafi/


