Vrasja e 1 300 marinarëve francezë nga Churchilli ishte e justifikuar - dhe një mësim për udhëheqësit e sotëm
Bombardimi i flotës franceze nga Marina Mbretërore më 3 korrik 1940, në Mers-el-Kebir të Algjerisë, rezultoi në vdekjen e 1 297 marinarëve francezë
Getty Images
Vetë kryeministri i kohës së luftës e përshkroi si “të urryer” shkatërrimin e flotës franceze nga Marina Mbretërore në vitin 1940. Por, ai ishte i nevojshëm.
Nga: Edward Abel Smith autor i librit A Hateful Decision - Churchill’s Darkest Hour and the British Attack on the French Navy [Vendimi i urryer - Momenti më i errët i Churchillit dhe sulmi britanik mbi Marinën Franceze] / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Në pasditen përvëluese të 3 korrikut 1940, porti i Mers-el-Kebirit në Algjeri ishte përfshirë nga flakët. Në më pak se 10 minuta të bombardimit të furishëm, 1 297 marinarë francezë u vranë - jo nga gjermanët apo italianët, por nga Marina Mbretërore Britanike. Shtatëqind milje larg, në sallën e kabinetit në Numrin 10 [Kryeministri], Winston Churchilli me puro në dorë kishte urdhëruar personalisht sulmin. A kishte të drejtë ta bënte këtë?
Kjo është pyetja që e ka ndjekur këtë episod për gati 86 vjet - dhe që në masë të madhe është shmangur. Mers-el-Kebiri zë një vend të sikletshëm në historinë kombëtare britanike, i vendosur mes heroizmit të Dunkirkut dhe lavdisë së Betejës për Britaninë. Shpesh është konsideruar tepër i pakëndshëm për t’u shqyrtuar me vëmendje. Por, argumenti moral meriton të paraqitet qartë: vendimi i Churchillit, sado i urryer, siç e ka pranuar, ishte i duhuri. Ai mund të ketë qenë gjithashtu vendimi më i rëndësishëm që mori ndonjëherë.
Lexo po ashtu:
- Jeta në kryeqytetin e Hitlerit
- “Kam vrarë 500 rusë”: Snajperi i Luftës së Dytë Botërore i njohur si Vdekja e Bardhë
- Meteorologu vendimtar për fitoren e Ditës-D
- Mashtrimi i madh britanik i Luftës së Dytë Botërore: Ushtria e madhe e cila nuk ekzistoi
- Gjenerali i Luftës së Dytë Botërore që tejkaloi rivalin e tij kryesor
- Si e ka infektuar Adolf Hitleri mënyrën tonë të të menduarit
- Romani i harruar i vitit 1934 që paralajmëroi tmerret e Gjermanisë naziste
Për të kuptuar arsyen, është thelbësore të kuptohet se sa dëshpëruese ishte vera e vitit 1940. Churchilli ishte kryeministër për vetëm 55 ditë. Gjatë asaj kohe, Italia ishte bashkuar me Hitlerin, pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore kishte rënë dhe evakuimi i Dunkirkut - i çmuar si një mrekulli - kishte lënë 700 tanke, 64 mijë automjete dhe 76 mijë ton municione në duart e Adolf Hitlerit.
Aftësia e Britanisë për të zhvilluar luftë tokësore, praktikisht kishte marrë fund. Forcat Ajrore Mbretërore (RAF) kishin vetëm një të katërtën e madhësisë së Luftvafes. Avantazhi i vetëm ushtarak që Churchilli ende zotëronte ishte Marina Mbretërore dhe, përmes saj, të paktën teorikisht, kontrolli i rrugëve jetike detare nga të cilat varej kombi ishullor.
Në këtë ekuilibër të brishtë u shfaq çështja e flotës franceze. Franca kishte marinën e katërt më të madhe në botë - 800 mijë ton anije luftarake, shtatë anije luftarake të rënda, 71 destrojerë dhe 77 nëndetëse. Ndërsa Franca po shembej nën sulmin gjerman dhe po kërkonte kushtet e armëpushimit, Churchilli u bëri thirrje drejtpërdrejt udhëheqësve francezë që të mos lejonin që flota të binte në duart e armikut. Ai paralajmëroi se një veprim i tillë do të “njolloste emrat e tyre për një mijë vjet histori.” Thirrjet e tij mbetën pa përgjigje.
Kushtet e armëpushimit që iu ofruan Francës rezultuan, në fund të fundit, shumë më bujare sesa pritej. Krahasuar me mënyrën se si Hitleri i trajtoi kombet e tjera të pushtuara, Franca po dilte relativisht lehtë dhe udhëheqësit francezë e dinin se çdo bashkëpunim i mëtejshëm me Britaninë mund të rrezikonte pozitën e tyre në tryezën e negociatave. Në atë kontekst, flota ishte një kartë negocimi që ata nuk mund ta dorëzonin lehtësisht.
Churchilli i kishte kërkuar personalisht admiralit François Darlan - komandantit të përgjithshëm të marinës franceze - nëse Franca do t’ia dorëzonte ndonjëherë flotën e saj Gjermanisë. “Nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë,” u përgjigj me vendosmëri admirali Darlan. “Kjo do të ishte në kundërshtim me traditat dhe nderin tonë detar. Ne nuk do t’ia dorëzojmë kurrë Gjermanisë apo Italisë.”
Megjithëse këto ishin fjalë qetësuese, ato ishin gjithashtu - duke pasur parasysh rrethanat - pa asnjë vlerë. Hitleri kishte thyer çdo premtim që kishte bërë ndonjëherë. Armëpushimi ishte nënshkruar. Franca ishte jashtë luftës. Xhevahiret në qendër të kurorës së fuqishme detare franceze ishin dy anijet luftarake Dunkerque dhe Strasbourg, të cilat Churchilli i përshkroi si dy nga anijet më të mira të flotës franceze. Ato ndodheshin në port, së bashku me nëntë anije të tjera, në Mers-el-Kebir të Algjerisë. Këto, teorikisht, tani do të ishin në dispozicion të Gjermanisë.
Kundërargumenti është i njohur dhe meriton të dëgjohet me kujdes. Shumë njerëz në Francë, si atëherë ashtu edhe më vonë, kanë pohuar se Darlani dhe admiralët e tij nuk do t’ia kishin dorëzuar kurrë flotën armikut, pavarësisht kushteve të armëpushimit me Hitlerin. Në nëntor të vitit 1942, kur trupat gjermane pushtuan Tulonin, marina franceze me të vërtetë i fundosi vetë anijet e saj të mbetura, në vend që të lejonte që qoftë edhe një e vetme të binte në duart e armikut. “Shkatërrimi vullnetar i flotës në Tulon sapo ka dëshmuar se unë kisha të drejtë,” i shkroi admirali Darlan, Churchillit, në dhjetor të vitit 1942. Kjo nuk ishte pa rëndësi.
Por, Churchilli, në korrik të vitit 1940, nuk mund t’ia lejonte vetes të arsyetonte ajo që dihet sot. Ai po merrte një vendim jo për atë që admiralët francezë mund të bënin pas dy vjetësh, por për atë që ata mund të detyroheshin të bënin pas dy javësh. Franca kishte nënshkruar një armëpushim me një njeri që nuk kishte respektuar kurrë asnjë marrëveshje në jetën e tij. Kushtet ishin bujare atëherë, por çfarë do të ndodhte kur Hitleri do të vendoste se donte diçka më shumë?
Llogaritja e Churchillit ishte e ftohtë, e saktë dhe e pashmangshme: rreziku i mosveprimit ishte më i madh se kostoja e veprimit. Prandaj, ai urdhëroi Operacionin Katapult.
Për anijet franceze në Mers-el-Kebir, u dhanë katër mundësi: të lundronin drejt Britanisë dhe të vazhdonin luftën; të lundronin drejt një porti në Inditë Perëndimore ose në Amerikë për t'u çarmatosur; të fundoseshin aty ku ndodheshin; ose të dorëzonin anijet. Pasuan pothuajse 12 orë negociatash të vështira, me të dërguarin britanik, kapitenin Cedric Holland - folësin më të mirë të frëngjishtes në Marinën Mbretërore dhe një njeri që e donte Francën thellësisht - duke u lutur për një zgjidhje paqësore.
Asnjë nuk erdhi. Në orën 17:54, Marina Mbretërore hapi zjarr. Ajo që pasoi ishte më pak se 10 minuta bombardim i furishëm. Anija luftarake franceze Bretagne u përmbys dhe u fundos, duke marrë me vete shumicën e madhe të ekuipazhit të saj prej 1 193 vetash.
Anija Provence, ishte në flakë. Dunkerque qëndronte e bllokuar në breg. Në ujin e zi nga nafta, trupat lundronin mes shkatërrimit. Kapelani i flotës lëvizte mes tyre me një varkë të vogël me rrema, duke recituar lutje mbi objekte që nuk mund t'i identifikonte. Trupa apo mbetje, ai i bekonte gjithçka, për çdo rast.
Zëvendësadmirali James Somerville, i Marinës Mbretërore, i cili kishte komanduar sulmin, i shkroi më pas gruas së tij: “Ajo punë e ndyrë më në fund mbaroi.” Është e vështirë të lexosh rrëfimet nga Mers-el-Kebiri dhe ta quash atë ndryshe veçse një tragjedi. Pyetja është nëse ishte një tragjedi e nevojshme. Përgjigjja nuk erdhi nga ai port në Algjeri, por nga Uashingtoni.
Pavarësisht të gjitha premtimeve të Churchillit ndaj Franklin D. Rooseveltit, presidentit të Shteteve të Bashkuara, se Britania do të luftonte deri në fund, amerikanët ishin të pabindur. Fjalët ishin një gjë. Mers-el-Kebiri ishte diçka tjetër. Siç kujtoi më vonë sekretari privat i Churchillit, John Colville, një nga këshilltarët më të afërt të Rooseveltit, Harry Hopkins, i tha drejtpërdrejt: “Ishte Mers-el-Kebiri që e bindi presidentin Roosevelt, pavarësisht mendimeve të kundërta, se britanikët me të vërtetë do të vazhdonin të luftonin - ashtu siç kishte premtuar Churchilli, nëse ishte e nevojshme për vite me radhë, nëse ishte e nevojshme të vetëm.”
Pak më vonë, Roosevelti nënshkroi Marrëveshjen Destrojerë për Baza, sipas së cilës 50 destrojerë amerikanë iu transferuan Britanisë. Kjo marrëveshje ishte hapi i parë vendimtar drejt përfshirjes amerikane në luftë.
Mësimi rezonon në mënyrë të pakëndshme edhe sot. Udhëheqësit perëndimorë vazhdojnë të përballen pikërisht me të njëjtën pyetje me të cilën u përball Churchilli në vitin 1940: në cilën pikë një kërcënim bëhet mjaftueshëm i afërt për të justifikuar një veprim që, për botën e jashtme, duket si agresion?
Ndërsa Irani vazhdon ta mbajë Ngushticën e Hormuzit nën kontrollin e tij, teksa fuqitë armiqësore testojnë kufijtë e asaj që Perëndimi do të tolerojë, logjika strategjike e Mers-el-Kebirit nuk është vjetruar. Ka momente në histori kur hezitimi nuk është kujdes - është dorëzim, thjesht jo në emër.
Churchilli e kuptonte këtë me qartësinë të cilën udhëheqësit më të vegjël rrallë e arrijnë. “Ky ishte një vendim i urryer,” shkroi ai, “më i panatyrshmi dhe më i dhimbshmi me të cilin jam përballur ndonjëherë. Ishte një tragjedi greke. Por, asnjë veprim nuk ka qenë ndonjëherë më i nevojshëm për jetën e Britanisë dhe për gjithçka që varej prej saj.”
Sulmimi i aleatit më të afërt të Britanisë mund të ketë qenë atëherë vendimi më i rëndësishëm që ai mori ndonjëherë. /Telegrafi/


