Vllaznia e nis me humbje aventurën në Ligën e Konferencës
Vllaznia e Shkodrës ka pësuar një humbje minimale 0-1 ndaj Daugavpils nga Letonia, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues në Ligës së Konferencës, e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me disa raste të mira për kuqeblutë, ku spikatën tentativat e Dodajt (35’ dhe 37’) dhe Krujës (25’), por portieri letonez ishte në lartësinë e duhur për të mbajtur portën e paprekur.
Qato gjithashtu provoi dy herë nga distanca (50’, 55’), ndërsa Sala me kokë rrezikoi në minutën e 53-të.
Dramën e solli minuta e 85-të, kur Valerijs Lizunovs shënoi me kokë për mysafirët, duke përfituar nga një moment pakujdesie në mbrojtjen shqiptare.
Vllaznia reagoi me disa tentativa në fund, përfshirë edhe atë të Gurishtës në minutën e 90+4’, por pa arritur të barazojë. Zëvendësimet e shumta në pjesën e dytë nuk e ndryshuan rrjedhën e lojës.
Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në Letoni, ku Vllaznia do të kërkojë përmbysjen për të mbajtur gjallë shpresat për kalim tutje në Evropë. /Telegrafi/


