Please enter at least 3 characters.

Formohet komisioni për vlerësimin e dëmeve nga stuhia në Viti, qytetarët ftohen të raportojnë pasojat

Komuna e Vitisë ka njoftuar se është funksionalizuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore, i cili do të dalë në terren për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia e fundit.

Sipas njoftimit, me vendim të kryetarit të komunës është aktivizuar ky komision me qëllim që të evidentohen dëmet në shtëpi, objekte përcjellëse, prodhime bujqësore, biznese dhe prona të tjera të prekura nga kushtet e rënda atmosferike.

Komuna u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, ekonomive familjare dhe subjekteve të tjera që kanë pësuar dëme që të paraqesin rastet e tyre sa më shpejt, në mënyrë që ekipet përgjegjëse të kryejnë vlerësimin në terren sipas procedurave ligjore.

Për raportimin e dëmeve dhe informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë anëtarët e komisionit: Mustafë Islami, Xhelal Musa, Avni Misini.

Nga Komuna e Vitisë kanë bërë të ditur se procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve do të zhvillohet në mënyrë profesionale, transparente dhe efikase, me qëllim ndërmarrjen e hapave të mëtejmë institucionalë për përballimin e pasojave. /Telegrafi/