Please enter at least 3 characters.

Verstappen fiton në Itali - Norris ngushton diferencën me Piastrin

Max Verstappen arriti një tjetër fitore të rëndësishme duke triumfuar në Çmimin e Madh të Italisë, përpara dyshes së McLaren, Lando Norris dhe Oscar Piastri.

Pavarësisht suksesit të holandezit, Piastri mbetet lider në renditjen e përgjithshme, por diferenca me Norrisin është ngushtuar, duke e bërë edhe më të ashpër garën për titullin botëror.

Verstappen e nisi garën nga “pole position” dhe e mbajti epërsinë, megjithëse në momentet e para u përplas me Norrisin, duke e detyruar këtë të fundit të dilte jashtë pistës dhe më pas të rikthente pozicionin e parë.

Në xhiron e katërt, Verstappen e kaloi sërish britanikun dhe prej aty e deri në fund e rriti gradualisht avantazhin ndaj McLaren.

Strategjia e ndërrimit të gomave u bë vendimtare. Verstappen ndaloi në xhiron e 38-të për të marrë goma të forta, ndërsa McLaren priti për të vendosur mes alternativave.

Në fund, skuadra i vendosi pilotëve të saj goma të buta, por një problem gjatë ndërrimit të gomave në makinën e Norrisit prishi gjithçka.

Plani i McLaren për ta sfiduar Verstappen në xhirot e fundit me goma më të shpejta dështoi, duke i dhënë holandezit një fitore të pastër.

Në renditjen e përgjithshme udhëheq Oscar Piastri me 324 pikë, i ndjekur nga Lando Norris me 293 pikë dhe Max Verstappen me 230 pikë./Telegrafi/