Veprimtaria e grupit “Çaçilend” që paguhet nga regjimi i Vuçiqit për të inskenuar protesta: Marrin para që të bëhen si protestues
Aktivistët e vendosur prej muajsh në “Çaçilend”, kampin e improvizuar pranë Parkut të Pionirëve në Beograd, nuk janë qytetarë të lirë apo protestues spontanë.
Ata, sipas mediumit hulumtues serb Radar, janë persona të dirigjuar direkt nga pushteti i Aleksandar Vuçiq-it.
Kështu thuhet në një analizë të gjerë të këtij mediumi, ku theksohet se kjo ngjarje paraqet shembullin më të pastër të uzurpimit të hapësirave publike dhe instrumentalizimit të ligjeve për interesa të pushtetit.
Sipas analizës, “Çaçilend” është krijim i pushtetit dhe në thelb pasqyron metodat e tij: manipulim, propagandë dhe shkelje të hapura të rregullave demokratike. “Ky kamp, i cili mbahet aktiv 24 orë në ditë prej gjashtë muajsh, nuk mund të konsiderohet tubim i ligjshëm, pasi Ligji serb për tubime publike nuk lejon bllokim të përhershëm të hapësirave apo tubime pa afat”, thuhet në tekstin e Radar.
Në tekst theksohet se vendosja e çadrave përballë Kuvendit të Serbisë është në kundërshtim me ligjin, pasi institucionet e rëndësisë së veçantë nuk mund të bllokohen. Për më tepër, kufizohet qasja e qytetarëve që nuk pajtohen me politikën e pushtetit, duke krijuar një zonë të kontrolluar politikisht.
Autori i analizës thotë se përpjekja e pushtetit për ta paraqitur “Çaçilend”-in si “fshat të lirë” është manipulim retorik.
“Nëse kjo zonë është e vetmja e lirë, atëherë çfarë tregon kjo për shtetin? Se pjesa tjetër e institucioneve është e kontrolluar dhe jo e lirë: Kuvendi, Qeveria, Presidenca, Gjykata Kushtetuese”, thuhet në tekst.
Në analizë thuhet se personat që qëndrojnë në “Çaçilend” nuk janë aktivistë qytetarë, por të paguar nga pushteti që të sillen si protestues.
“Kjo quhet ‘mosbindje civile e pushtetit’ – koncept i paqenë në teorinë demokratike”. Ata përshkruhen si “marioneta të dyfishta” të pushtetit serb që i mban me privilegje dhe pagesa dhe të interesave të huaja që ndikojnë tek ky pushtet.
Sipas analizës, qeveria e Vuçiq-it po miraton ligje dhe vendime që i shërbejnë kapitalit të huaj, madje duke kaluar edhe ligje speciale për projekte që prekin pasuri kulturore. Kjo përshkruhet si humbje e sovranitetit dhe transformim i Serbisë në një “koloni të brendshme”, ku pushteti vepron kundër interesave qytetare.
Analiza e zgjeruar përshkruan një proces më të gjerë të quajtur “Cacilizacija”: “Shërbejnë si deformim i sistemit arsimor, manipulim i protestave, kontroll i mediave, shkelje e parimeve demokratike dhe krijim i një sistemi ku ligjet shërbejnë interesave të korporatave dhe pushtetit.”
Sipas autorëve, pushteti simulon demokracinë duke imituar protesta të rreme, duke kontrolluar institucionet dhe duke shkatërruar vlerat qytetare.
“Çaçilend”-i, siç thuhet, është vetëm një simbol i këtij sistemi – një hapësirë që e paraqesin si zonë të lirë, ndërsa në realitet është projekt politik për të mbajtur kontrollin./Telegrafi./


