Please enter at least 3 characters.

Vendimi për kryetarin e KPM-së i paligjshëm, IKD: Ligjshmëria nuk u respektua

2017/02/ikd.jpg

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, lidhur me padinë e iniciuar ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), me të cilin është shpallur i paligjshëm vendimi i datës 17 janar 2025 për zgjedhjen e Besnik Berishës në pozitën e Kryetarit të KPM-së.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore theksohet se nuk janë pranuar pretendimet e KPM-së për pavarësinë e saj kushtetuese dhe organizative. Sipas Gjykatës, pavarësia e institucioneve të pavarura nuk nënkupton përjashtim nga zbatimi i ligjit.

“Pavarësia e institucioneve të pavarura kushtetuese nënkupton mbrojtje nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrimin e funksioneve të tyre, por nuk nënkupton përjashtim nga detyrimi për të zbatuar ligjin,” thuhet në vendimin e Gjykatës.

IKD kishte kërkuar përmes padisë shfuqizimin e ndryshimeve në Rregulloren e Punës së KPM-së, si dhe deklarimin e paligjshëm të vendimit për zgjedhjen e Kryetarit. Kjo çështje ishte fituar më herët edhe në Gjykatën Supreme, e cila kishte shpallur të paligjshëm ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së.

Sipas IKD-së, vendimi i sotëm i Gjykatës së shkallës së parë përbën një sukses të rëndësishëm në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe funksionimit të rregullt të KPM-së, duke forcuar besimin e publikut ndaj këtij institucioni të pavarur kushtetues.

IKD ka mirëpritur vendimin, duke theksuar se do të vazhdojë të avokojë si për mbrojtjen e pavarësisë së KPM-së nga ndërhyrjet e jashtme, ashtu edhe për respektimin e ligjshmërisë së brendshme, e cila, sipas tyre, nuk është respektuar në këtë rast. /Telegrafi/