Vendimi i Alvarez trondit Atleticon, refuzon Barcelonën dhe zgjedh gjigantin evropian
Julian Alvarez pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të afatit kalimtar së verës.
Sulmuesi i Atletico Madrid është kthyer në objektivin kryesor të disa prej klubeve më të mëdha evropiane, ndërsa interesimi më serioz vjen nga Paris Saint-Germain dhe Barcelona.
Sipas raportimeve pranë lojtarit, PSG-ja ka marrë avantazhin vendimtar në garën për transferimin e argjentinasit.
Thuhet se vetë Alvarez e sheh me prioritet kalimin në Paris, ku do të kishte mundësinë të punonte nën drejtimin e trajnerit Luis Enrique.
Klubi francez e konsideron sulmuesin si figurën ideale për të udhëhequr projektin e ri ofensiv. Luis Enrique prej kohësh kërkon një lojtar me profil të plotë ofensiv, i aftë të bëjë diferencën si në zonë ashtu edhe jashtë saj.
Lëvizshmëria, instinkti për gol dhe intensiteti në lojë e bëjnë Alvarezin një nga objektivat kryesorë të PSG-së.
Në Francë flitet se parisienët janë gati të ofrojnë rreth 150 milionë euro për kartonin e lojtarit, një shumë që do ta rendiste transferimin ndër më të mëdhenjtë e viteve të fundit.
Brenda klubit ekziston bindja se marrëveshja mund të finalizohet, si me Atletico Madridin ashtu edhe me rrethin e futbollistit.
Nga ana tjetër, Barcelona vazhdon ta admirojë profilin e Alvarezit dhe e konsideron atë si liderin ideal të repartit ofensiv për vitet e ardhshme.
Megjithatë, problemet financiare të klubit katalanas e bëjnë pothuajse të pamundur konkurrimin me ofertën e PSG-së. Edhe pse në “Camp Nou” shpresonin se preferenca sportive e lojtarit mund të hapte një mundësi, hyrja e fuqishme e parisienëve e ka komplikuar ndjeshëm situatën.
Ndërkohë, Atletico Madridi nuk dëshiron të humbasë yllin e skuadrës. Drejtuesit e klubit madrilen po përgatisin një projekt të ri sportiv rreth sulmuesit argjentinas, me synimin për ta bindur të qëndrojë në “Metropolitano”.
Në klub konsiderohet si lojtari më i rëndësishëm i skuadrës dhe largimi i tij do të ishte një goditje e madhe si në aspektin sportiv, ashtu edhe emocional.
Megjithatë, sipas burimeve pranë futbollistit, Alvarez i ka bërë të qartë klubit se, nëse duhet të zgjedhë mes Barcelonës dhe PSG-së, preferenca e tij është kalimi në Paris.
Projekti ambicioz i kampionëve francezë dhe mundësia për të luftuar për Ligën e Kampionëve duket se e bindin më shumë sulmuesin, i cili po kalon një nga momentet më të mira të karrierës së tij.
Megjithatë, vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, pasi lojtari dëshiron të dëgjojë edhe ofertën përfundimtare të Atletico Madridit përpara se të mbyllë çdo derë. /Telegrafi/


