Vendim i marrë, ylli Realit do të qëndroj edhe sezonin e ardhshëm
Real Madridi ka siguruar vazhdimësinë e një tjetër mbrojtësi me përvojë, vetëm pak pasi klubi njoftoi largimin e kapitenit Dani Carvajal.
Sipas raportimeve nga media spanjolle, Antonio Rudiger ka arritur marrëveshje për të qëndruar edhe një sezon te “Los Blancos”.
Mbrojtësi gjerman, i cili është 33-vjeç, do të firmosë kontratë njëvjeçare, në përputhje me politikën e klubit madrilen për lojtarët veteranë.
Fillimisht, Rudiger kishte kërkuar një marrëveshje dyvjeçare, por ka pranuar kushtet e klubit, duke kuptuar se Real Madrid nuk bën përjashtime nga kjo rregullore.
Pavarësisht interesimit dhe një oferte të majme nga Arabia Saudite, mbrojtësi ka vendosur të vazhdojë karrierën në “Santiago Bernabeu”.
Sezoni i Rudiger nuk ka qenë i lehtë, pasi ai humbi një pjesë të madhe të gjysmës së parë të kampionatit për shkak të problemeve fizike dhe shqetësimeve të vazhdueshme me gjunjët.
Megjithatë, ai arriti të rikthehej dhe të mbyllte sezonin si titullar, duke fituar konkurrencën ndaj talentit të ri Dean Huijsen.
Gjatë këtij edicioni, Rudiger regjistroi 26 paraqitje dhe shënoi një gol, edhe pse para muajit dhjetor kishte luajtur vetëm dy ndeshje.
Aktualisht, vetëm tre qendërmbrojtës e kanë të sigurt vendin në skuadër për sezonin e ardhshëm: Rudiger, Huijsen dhe Eder Militao. Ky i fundit po përballet me një tjetër dëmtim serioz, i cili pritet ta mbajë jashtë edhe për Kupën e Botës.
Ndërkohë, e ardhmja e Raul Asencio mbetet e paqartë, ndërsa David Alaba pritet të largohet në fund të kontratës së tij.
Sipas raportimeve, Manchester City i ka ofruar madrilenëve mbrojtësin kroat Josko Gvardiol, teksa klubi vazhdon të kërkojë përforcime në repartin defensiv për sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/


