UNICEF: 20 milionë fëmijë përjetuan shfrytëzim ose abuzim seksual online gjatë një viti
Rreth 20 milionë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç, ose pothuajse një në pesë, kanë përjetuar të paktën një formë të shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të lehtësuar nga teknologjia gjatë një viti, sipas një raporti të ri të publikuar nga UNICEF.
Raporti, i titulluar “Përmes Syve të Fëmijëve: Si Teknologjitë Dixhitale Mundësojnë Abuzimin Seksual të Fëmijëve”, bazohet në dëshmitë e fëmijëve dhe të dhëna nga anketa të zhvilluara në 21 vende.
Sipas gjetjeve, më shumë se 15 milionë fëmijë janë ekspozuar ndaj përmbajtjes së padëshiruar seksuale, rreth 9 milionë janë përballur me kërkesa për biseda seksuale ose për të ndarë imazhe seksuale kundër vullnetit të tyre, ndërsa rreth 4 milionë fëmijëve u janë shpërndarë imazhe seksuale të tyre pa pëlqim.
“Raporti zbulon një realitet të dhimbshëm. Më shumë se 20 milionë fëmijë në të gjitha vendet e studiuara iu nënshtruan përmbajtjes së padëshiruar seksuale eksplicite ose shfrytëzimit në internet, shpesh në hapësirat dixhitale ku mësojnë, luajnë dhe lidhen me miqtë”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.
Ajo ka paralajmëruar se këto përvoja kanë pasoja të rënda për fëmijët.
“Këto përvoja shkaktojnë shqetësim të thellë emocional dhe mendor. Shumë fëmijë vuajnë në heshtje, të pasigurt se ku të drejtohen për ndihmë. Ne nuk mund ta largojmë shikimin”, ka deklaruar Russell.
Raporti tregon se gati 60 për qind e rasteve kanë ndodhur në platformat kryesore të mediave sociale, përfshirë Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe WhatsApp, ndërsa 14 për qind e rasteve kanë ndodhur në lojërat online.
Një tjetër gjetje e rëndësishme është se në 57 për qind të rasteve, fëmija e njihte autorin e abuzimit. Në këtë kategori përfshihen bashkëmoshatarë, partnerë romantikë, miq dhe anëtarë të familjes.
Ndërkohë, 38 për qind e fëmijëve e kanë takuar për herë të parë autorin në internet, ku, sipas raportit, abuzimi mund të lehtësohet përmes llogarive të rreme dhe funksioneve të mesazheve private.
UNICEF thekson se pasojat në mirëqenien e fëmijëve mund të jenë të rënda. Fëmijët që kanë përjetuar shfrytëzim seksual të lehtësuar nga teknologjia kishin katër herë më shumë gjasa të raportonin mendime ose sjellje vetëvrasëse dhe vetëlëndim, si dhe nivele dukshëm më të larta të ankthit.
Raporti nxjerr në pah edhe nivelin e ulët të raportimit. Më shumë se 40 për qind e rasteve nuk janë ndarë kurrë me askënd, ndërsa më pak se 1 për qind janë raportuar tek autoritetet, përfshirë policinë, punonjësit socialë ose linjat e ndihmës.
Sipas UNICEF-it, arsyeja më e zakonshme pse fëmijët nuk flasin për këto përvoja është mungesa e informacionit se ku dhe kujt duhet t’i drejtohen për ndihmë.
Raporti bën thirrje për veprime urgjente nga qeveritë, kompanitë e teknologjisë dhe institucionet tjera për forcimin e mbrojtjes së fëmijëve në hapësirat dixhitale.
Për Kosovën, UNICEF thekson nevojën që bazat ligjore dhe politike të përkthehen në masa konkrete, duke garantuar raportim të sigurt për fëmijët dhe bashkëpunim më të mirë ndërmjet shërbimeve sociale, shëndetësisë, arsimit, policisë dhe drejtësisë.
Ndër rekomandimet kryesore të raportit është që platformat dixhitale të bëhen më të sigurta që në fazën e dizajnimit, me mbrojtje më të forta të privatësisë dhe sigurisë për fëmijët. /Telegrafi/


