U rikyç pas shkyçjes, KRU “Gjakova” e dërgon rastin për ndjekje ligjore
Ekipi i Kontrollës së KRU “Gjakova” ka zbuluar një rast të rikyçjes së paautorizuar në rrjetin e ujësjellësit, pas një shkyçjeje të mëparshme.
Sipas njoftimit të kompanisë, gjatë inspektimeve në terren është konstatuar se konsumatori kishte kryer rikyçjen me vetiniciativë, ndërsa gjatë kontrollit është vërejtur edhe dëmtimi i bllombës dhe i bllokuesit.
KRU “Gjakova” ka bërë të ditur se këto veprime përbëjnë vepër penale dhe se rasti do të ndiqet edhe përmes organeve të drejtësisë, përkatësisht Prokurorisë.
Po ashtu, gjatë aksionit në terren është realizuar edhe një shkyçje tjetër me vendim ndaj një konsumatori i cili kishte akumuluar borxh prej 2 mijë e 145 eurosh ndaj kompanisë.
Nga KRU “Gjakova” kanë theksuar se për shkak të shumës së lartë të borxhit, ndërprerja e furnizimit është bërë menjëherë.
Kompania ka bërë të ditur se nuk do të tolerojë keqpërdorimin e rrjetit të ujësjellësit apo mospagesën e obligimeve, duke theksuar se të gjithë konsumatorët do të trajtohen në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi. /Telegrafi/


