U përkujtua komandanti Safet Boletini - “Tigri”
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se Boletini dhe Mitrovica kanë dhënë shumë, që sot Kosova dhe qytetarët e saj të jetojnë në liri.
“Sikur të pyetej Safeti që të kthehej sërish tek ne, ai do të vinte vetëm me një kusht: që të vdes edhe njëherë për Atdhe”, ka thënë Bahtiri.
Profesori Fazli Hajrizi, duke folur për jetën dhe veprën e dëshmorit, tha se Safeti eci gjurmëve të të parëve të tij, të prijësit tonë kombëtar, Isa Boletini, gjyshit Ibrahimit dhe atdhetarëve tjerë të këtij mjedisi.
“Kështu, i frymëzuar nga veprimtaria patriotike e paraardhësve dhe nga idealet e lirisë e të demokracisë, Safeti qysh në moshë të re u nis në rrugën e ndershme, në rrugën e dritës, lirisë, amshimit, dhe të pavdekësisë”, ka thënë mes tjerash Hajrizi.
Në fund të kësaj akademie, u promovua libri “Dy herë i pavdekshëm” kushtuar jetës dhe veprës së dëshmorit Safet Boletini. /KP/


