Trump riemëron Departamentin e Mbrojtjes në “Departamenti i Luftës” - rikthim simbolik në historinë ushtarake të SHBA-së
Presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të riemërtuar Departamentin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, duke e rikthyer atë në emrin e tij historik - “Departamenti i Luftës”.
Në një deklaratë të bërë gjatë një konference për shtyp, Trump theksoi se ky ndryshim emri është “më i përshtatshëm dhe më i sinqertë” duke marrë parasysh rolin që ushtria amerikane ka luajtur – dhe po luan ende – në skenën ndërkombëtare.
“Nën këtë emër, ne fituam Luftën e Parë Botërore dhe Luftën e Dytë Botërore. Ishte një emër që përfaqësonte fuqinë, vendosmërinë dhe drejtësinë. Më pas, për arsye politike dhe korrektësie politike, e ndryshuan në ‘Departamenti i Mbrojtjes’. Por sot, me gjithçka që po ndodh në botë, është koha të jemi të qartë për rolin tonë”, u shpreh 79-vjeçari.
Departamenti i Luftës ka qenë emri zyrtar i institucionit ushtarak amerikan që nga themelimi i tij në vitin 1789 deri në vitin 1949, kur u ristrukturua dhe u riemërua si “Departamenti i Mbrojtjes”, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe fillimit të Luftës së Ftohtë.
Trump, i njohur për qëndrimet e tij kundër “kulturës së korrektësisë politike” dhe për përpjekjet për të rikthyer simbolet e traditës amerikane, e ka cilësuar këtë hap si një veprim simbolik që pasqyron realitetin aktual gjeopolitik.
“Ne nuk po merremi thjesht me mbrojtje. Ne kemi trupa, armë dhe baza ushtarake në të gjithë botën. Ne ndërhyjmë, ne veprojmë dhe në shumë raste, ne luftojmë. Është koha të mos i fshehim më këto fakte pas një emri të butë”, shtoi ai.
Ky vendim ka nxitur reagime të ndryshme, si nga mbështetësit e tij që e shohin si një rikthim në “vlerat tradicionale të Amerikës”, ashtu edhe nga kritikët që e konsiderojnë si një përshkallëzim të retorikës militariste dhe një sinjal shqetësues për drejtimin e politikës së jashtme amerikane. /Telegrafi/


