Trump përballet me dy opsione ndaj Iranit - sulme ushtarake ose sanksione të ashpra
Donald Trump po shqyrton dy qasje kryesore në politikën ndaj Iranit, duke lënë të hapur mundësinë e përshkallëzimit ushtarak ose vazhdimit të fushatës së sanksioneve të njohura si “presioni maksimal”, me synimin për të detyruar Teheranin të ulet në tryezën e negociatave.
Sipas burimeve të afërta me administratën, presidenti amerikan ka mbajtur herë pas here një qëndrim të ashpër ndaj udhëheqjes iraniane.
Në një rast, ai i është drejtuar një këshilltari duke thënë se “e vetmja gjë që kuptojnë [udhëheqësit e Iranit] janë bombat”, raporton axios.
Megjithatë, këshilltarët e tij theksojnë se presidenti amerikan mbetet i kujdesshëm sa i përket ndërmarrjes së sulmeve të reja ushtarake. Ata e përshkruajnë qëndrimin e tij si të ndarë mes zemërimit dhe pragmatizmit.
“Është i zhgënjyer, por realist… Nuk dëshiron të përdorë forcën. Por nuk po tërhiqet”, ka deklaruar një nga këshilltarët, duke nënvizuar se vendimet përfundimtare ende nuk janë marrë.
Situata mbetet e hapur, ndërsa Uashingtoni vazhdon të vlerësojë hapat e mundshëm në raport me Teheranin dhe ndikimin e tyre në rajon. /Telegrafi/


