Trump për mbylljen e mediave: Kur 97 për qind e historive për një person janë të këqija, nuk është më liri e fjalës
Donald Trump ka deklaruar se gazetarët po shkelin ligjin me raportimet negative që po shkruajnë për administratën amerikane.
“Marrin një histori të shkëlqyer dhe e bëjnë të keqe. Shihni, mendoj se kjo është me të vërtetë e paligjshme”, tha presidenti amerikan para gazetarëve në Zyrën Ovale.
Ai nuk përmendi ndonjë ligj konkret që mendon se është shkelur, “kur 97 për qind e historive për një person janë negative, kjo nuk është më liri e fjalës. Kjo është thjesht mashtrim”.
Deklarata e fundit e liderit amerikan erdhi pas komenteve të mëparshme ku ai tha se disa rrjete televizive duhet të "humbasin" licencat e tyre.
Trump:
When 97% of the stories are bad about a person. That is no longer free spech. That is just cheating. pic.twitter.com/wXTU3tjM5z
— Clash Report (@clashreport) September 19, 2025
Trump dhe Brendan Carr, kryetar i Komisionit Federal për Komunikim, e kanë rritur presionin ndaj transmetuesve që kur ABC pezulloi komedianin, Jimmy Kimmel për komentet në lidhje me vrasjen e konservatorit Charlie Kirk.
Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, kërkoi dorëheqjen e Carr-it. Edhe republikani i njohur, senatori Ted Cruz, reagoi duke e quajtur veprimin e Carr-it “të rrezikshëm”.
Trump, nga Zyra Ovale, doli në mbrojtje të Carrit, duke e quajtur atë “të jashtëzakonshëm” dhe “një amerikan i madh”.
“Mendoj se Carr është një person i guximshëm. Nuk i pëlqen të shohë që hapësira mediatike përdoret në mënyrë të paligjshme dhe të gabuar”, shtoi ai. /Telegrafi/
Brendan Carr should resign immediately, or Trump should fire him. pic.twitter.com/bow6H1ZsFY
— Chuck Schumer (@SenSchumer) September 18, 2025


