Please enter at least 3 characters.

Trump pasurohet për 1.4 miliard dollarë nga kriptovalutat: Unë fitoi sepse kam shumë para

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mohuar se është i përfshirë drejtpërdrejt në menaxhimin e fitimeve të familjes së tij nga kriptovalutat, pas publikimit të deklaratës së tij të re financiare, e cila tregon se ai ka raportuar mbi 1.4 miliard dollarë të ardhura gjatë vitit 2025, kryesisht nga bizneset e lidhura me asetet digjitale.

Duke folur për gazetarët, ai u pyet për të ardhurat e mëdha nga sektori i kriptovalutave.

"Unë nuk merrem fare me këtë. Kam fonde dhe njerëz që menaxhojnë investimet e mia. Nuk kam parë as ndonjë bilanc financiar. Të gjithë po fitojnë, sepse tregu i aksioneve është në rritje", tha 80-vjeçari.

Sipas deklaratës financiare të dorëzuar në Zyrën për Etikën e Qeverisë së SHBA-së, pjesa më e madhe e të ardhurave të Trump vjen nga kompania World Liberty Financial, të cilën ai e themeloi së bashku me djemtë e tij.

Dokumentet tregojnë se rreth 800 milionë dollarë janë gjeneruar nga kjo kompani, përfshirë mbi 520 milionë dollarë nga shitja e tokenëve kripto dhe më shumë se 250 milionë dollarë nga shitja e interesave në kompani.

Trump raportoi gjithashtu rreth 635 milionë dollarë të ardhura nga monedha e tij meme $TRUMP.

Publikimi i këtyre të dhënave ka nxitur kritika nga ekspertë të etikës dhe kundërshtarë politikë, të cilët argumentojnë se presidenti mund të përfitojë financiarisht nga politikat e administratës së tij në favor të industrisë së kriptovalutave.

Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar se bizneset e Trump menaxhohen nga fëmijët e tij dhe se nuk ekziston konflikt interesi. /Telegrafi/