Please enter at least 3 characters.

Tronditje në Ligën Premier: Pronari i gjigantit anglez dyshohet se ka udhëhequr një sindikatë bastesh në vlerë mbi 600 milionë euro

Një pronar i Ligës Premier është përballur me akuza tronditëse në Gjykatën e Lartë të Londrës, ku pretendohet se ka udhëhequr një sindikatë të fshehtë bastesh në vlerë rreth 600 milionë funte.

Sipas raportimeve, pronari i Brighton & Hove Albion, Tony Bloom, është vënë në qendër të këtyre akuzave, pasi është identifikuar si kreu i një grupi sekret bastesh që thuhet se operon përmes një rrjeti të specializuar.

Pretendimet vijnë nga padia e ish-punonjësit të Starlizard, Ryan Dudfield, i cili pohon se i detyrohen 17.5 milionë funte nga fitimet e gjeneruara nga kjo sindikatë. Starlizard – kompania këshilluese për bastet e themeluar nga Bloom – thuhet se qëndron në qendër të gjithë skemës.

Sipas padisë (përmes The Times), sindikata përbëhet nga mbi 100 anëtarë të ftuar personalisht nga Bloom, të cilët përdorin “llogari sekrete ekzotike” për të vendosur bastet e mëdha në ndeshje futbolli.

Një nga akuzat më të bujshme lidhet me përfshirjen e George Cottrell, ish-bashkëpunëtor i Nigel Farage. Pretendohet se bastet janë vendosur përmes llogarive të tij jashtë vendit. Cottrell ka vuajtur më parë dënim me burg në SHBA për përpjekje për pastrim parash të lidhura me drogën dhe thuhet se iu bashkua sindikatës në vitin 2022, pasi u prezantua nga vetë Dudfield.

Për më tepër, padia pretendon se herë pas here janë përdorur edhe llogari bastesh të lidhura me sportistë dhe biznesmenë të profilit të lartë, megjithëse asnjëri prej tyre nuk është ish-futbollist.

Bloom kishte marrë leje të posaçme nga FA në vitin 2014 për të ruajtur përfshirjen e tij në Starlizard, por ai mbetet ende i ndaluar të vendosë baste për Brightonin, ndeshjet e Ligës Premier ose garat e kupave ku marrin pjesë klubet e elitës. Auditimet vjetore nga FA dhe një firmë kontabiliteti nuk kanë gjetur ndonjë shkelje deri më tani.

Rasti i Dudfield, i pranuar zyrtarisht nga Gjykata e Lartë më 20 nëntor, drejtohet kundër Bloom dhe gjithë grupit që ai dyshohet se ka udhëhequr./Telegrafi