Please enter at least 3 characters.

Tri ditë afat - mbi 1,400 zyrtarë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka bërë të ditur se vetëm tri ditë para përfundimit të afatit ligjor për deklarimin vjetor të pasurisë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve publikë ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim.

Sipas të dhënave të përditësuara më 29 mars 2026 në mesditë, nga gjithsej 10,345 zyrtarë të obliguar: 7,482 (72.32%) kanë përfunduar deklarimin, 1,394 (13.48%) janë në proces dhe 1,469 (14.20%) nuk e kanë filluar fare deklarimin.

APK thekson se mbi 1,400 zyrtarë mbeten jashtë procesit, duke rrezikuar shkeljen e afatit ligjor, ndërsa ditët në vijim konsiderohen vendimtare.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, paralajmëroi për pasojat ligjore në rast të mosrespektimit të afatit.

“Deklarimi i pasurisë nuk është opsional - është obligim ligjor. Mosrespektimi i afatit ligjor rezulton me shqiptimin automatik të gjobës mandatore në vlerë prej 30% të pagës së subjektit deklarues. Çdo vonesë mbi 15 ditë përbën bazë për inicimin e hetimeve penale. Në këtë fazë, çdo neglizhencë është e pajustifikueshme. Ftojmë të gjithë zyrtarët që të përfundojnë deklarimin menjëherë. Koha po përfundon - veproni tani”, ka deklaruar Buleshkaj.

Agjencia rikujton se mosdeklarimi, vonesa apo deklarimi i pasaktë përbëjnë shkelje të drejtpërdrejta ligjore dhe mund të rezultojnë në masa administrative dhe procedura penale.

APK gjithashtu njofton se mbetet në dispozicion për mbështetje teknike, por thekson se përgjegjësia për deklarim në kohë është individuale. /Telegrafi/