Trepça ndërpret marrëdhënien e punës për dy punonjës, masa disiplinore edhe për katër të tjerë
Komisioni Disiplinor i Trepçës ka marrë masa ndaj gjashtë punonjësve të Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Kishnicë dhe Artanë.
Sipas njoftimit të Trepçës, vendimet janë nxjerrë më 11 gusht 2026, pas shqyrtimit të rasteve dhe dokumentacionit përkatës, në bazë të vendimeve paraprake nr. 4733 dhe 5245.
Për dy punonjës, A.G. dhe K.A., Komisioni Disiplinor ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës, në pajtim me nenin 14 të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të Punëtorëve të Trepçës.
Ndërkaq, ndaj katër punonjësve të tjerë, F.Z., Z.A., A.M. dhe M.Z., janë shqiptuar masa disiplinore që përfshijnë gjobë në pagë dhe ulje në pozitë.
Trepça ka bërë të ditur se palët e prekura nga këto vendime kanë të drejtë ankese pranë Komisionit të Ankesave të ndërmarrjes.
“Kundër këtyre vendimeve, palët kanë të drejtë të paraqesin ankesë pranë Komisionit të Ankesave të Trepça Sh.A., brenda afatit prej 8 (tetë) ditësh, në përputhje me procedurat e përcaktuara”, thuhet në njoftim.
Sipas ndërmarrjes, vendimet janë marrë në kuadër të procedurave të përcaktuara me aktet e brendshme të Trepçës. /Telegrafi/


