Please enter at least 3 characters.

Tim Allen flet hapur për periudhën e burgut: E turpërova veten dhe familjen time

Foto: EPA

Aktori i njohur amerikan Tim Allen, i cili për publikun njihet më së shumti si zëri i personazhit Buzz Lightyear në serinë e filmave “Toy Story”, ka folur së fundmi për një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, teksa promovonte vazhdimin e ri të franshizës.

Edhe pse 73-vjeçari ka ndërtuar prej dekadash një karrierë të suksesshme në Hollywood, pak njerëz e dinë se në rininë e tij ai u përball me ligjin dhe u dënua për një vepër të rëndë penale.

Allen u arrestua në vitin 1978, në moshën 25-vjeçare, në aeroportin ndërkombëtar Kalamazoo/Battle Creek në Michigan, pasi autoritetet gjetën tek ai më shumë se 650 gramë kokainë.

Arrestimi ndodhi pak kohë pasi në Michigan kishte hyrë në fuqi një ligj i rreptë, sipas të cilit posedimi, prodhimi apo shpërndarja e më shumë se 650 gramëve drogë mund të dënohej me burgim të përjetshëm.

Përballë mundësisë për të kaluar pjesën tjetër të jetës pas hekurave, Allen pranoi fajësinë. Sipas raportimeve të Entertainment Weekly, ai bashkëpunoi me autoritetet dhe dha informacione për trafikantë të tjerë droge, gjë që bëri që dënimi i tij të reduktohej nga tre deri në shtatë vjet burg.

Foto: EPA

Aktori kaloi rreth dy vjet në burg, një përvojë që, sipas tij, i ndryshoi rrënjësisht jetën.

“Nuk e kisha më fokusin pas përfundimit të studimeve dhe u përfshiva në aktivitete kriminale. Gjatë kohës në burg fillova të lexoja libra për burra dhe gra që kishin arritur sukses duke nisur nga hiçi. Kjo më bëri të mendoj seriozisht se ku doja të isha në jetë”, ka rrëfyer Allen.

Ai shtoi se kjo periudhë e bëri të reflektojë thellë mbi veprimet e tij.

“Nuk doja kurrë ta përsërisja atë gabim. E kisha turpëruar familjen, miqtë dhe veten time. Nuk doja të bëja më të njëjtin gabim”, tha aktori.

Pas lirimit nga burgu në vitin 1981, Allen nisi të rindërtonte jetën e tij. Një dekadë më vonë ai mori rolin që e bëri të famshëm në serialin televiziv “Home Improvement”, i njohur në shumë vende si “Sam svoj majstor”.

Që nga viti 1995, ai i ka dhënë zërin astronautit Buzz Lightyear në të pesë filmat e franshizës “Toy Story”, duke luajtur përkrah aktorit Tom Hanks, i cili interpreton personazhin e Woody-t.

Duke folur për rolin që e shoqëroi për dekada, Allen tha se personazhi i Buzz Lightyear është bërë pjesë e identitetit të tij.

“Është një pjesë e jashtëzakonshme e jetës sime. Buzz është bërë pjesë e imja, ashtu siç jam bërë edhe unë pjesë e tij”, u shpreh aktori. /Telegrafi/