Please enter at least 3 characters.

Tifozët e Rubin Kazanit të entuziazmuar për Mirlind Dakun, fanella dhe nënshkrimi i tij më i kërkuari

Rubin Kazani ka hapur dyqanin e tretë zyrtar në qendër të qytetit të Kazanit, ndërsa ceremonia u shndërrua në një ngjarje të veçantë falë interesimit të madh të tifozëve për sulmuesin shqiptar, Mirlind Daku.

Në hapje morën pjesë edhe futbollistët Mirlind Daku dhe Igor Vujaçiq, por ishte reprezentuesi i Shqipërisë ai që tërhoqi vëmendjen kryesore.

Sipas mediumit rus “Sport”, radhët nisën të formoheshin dy orë para hapjes zyrtare, ndërsa pritja për t’i takuar lojtarët zgjatej deri në rrugë.

Fanella më e kërkuar nga tifozët ishte ajo e Dakut me numrin 10, ndërsa disa prej të pranishmëve mezi prisnin vetëm për ta parë nga afër sulmuesin kuqezi.

Gazeta ruse përshkruan edhe një moment interesant: një djalë rreth shtatë vjeç u mërzit kur nuk e pa Dakun në fillim dhe i tha të atit se donte të largohej, por organizatorët i konfirmuan se futbollisti do të mbërrinte pas një ore.

Kur Daku iu afrua dyqanit, atmosfera u ndez edhe më shumë. Thirrjet “Daku! Daku!” nuk pushuan, teksa për pak çaste u krijua edhe rrëmujë në rrugë nga dëshira e tifozëve për autografe dhe fotografi.

Sipas “Sport”, Daku kaloi më shumë kohë duke nënshkruar autografe sesa Vujaçiq, duke u treguar i afërt me tifozët dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre, përfshirë edhe atyre që lidhen me formën dhe objektivat e tij këtë sezon.

Në fund të ceremonisë, Daku u largua nga dyqani, por u ndal edhe një herë për nënshkrimin e fundit, në një moment që u shoqërua sërish me ovacione.

Sulmuesi kuqezi është rikthyer së fundmi pas një lëndimi që e mbajti jashtë fushave për një periudhë të gjatë, që nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar. Para se të lëndohej, Daku kishte shënuar nëntë gola për Rubin Kazanin. /Telegrafi/