Thaçi për bashkimin e Gjermanisë: Kjo ditë ka frymëzuar edhe Kosovën për t’u angazhuar për të drejtat dhe liritë qytetare
Presidenti, Hashim Thaçi, ka uruar popullin gjerman me rastin e29 vjetorit të bashkimit të Gjermanisë.
Thaçi në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se tre tetori i vitit 1990 ka frymëzuar të gjitha lëvizjet demokratike në Europë e më gjerë, përfshirë edhe Kosovën, për t’u angazhuar për të drejtat dhe liritë qytetare të çdo populli.
"Urimet më të përzemërta popullit gjerman për Ditën e Unitetit Gjerman. Tre tetori i vitit 1990 është ditë historike për Gjermaninë, por edhe për tërë demokracitë e botës. Ajo ditë shënon të arritur konkrete të procesit të filluar me shembjen e Murit të Berlinit, e që më vonë do të rritej në një frymë të përgjithshme të ndryshimeve politike në tërë Europën, duke vënë vlerat dhe parimet e lirisë e demokracisë mbi parimet tjera. Kjo ditë ka frymëzuar të gjitha lëvizjet demokratike në Europë e më gjerë, përfshirë edhe Kosovën, për t’u angazhuar për të drejtat dhe liritë qytetare të çdo populli. Duke kujtuar këtë ditë, shprehim mirënjohjen dhe respektin për të gjithë ato gra e ata burra që u angazhuar për të mbajtur gjallë frymën e lirisë e barazisë", ka shkruar Thaçi.
Ndryshe më 3 tetor të vitit 1990, Gjermania zyrtarisht u bashkua, me synimin që dy pjesët e vendit të jenë të zhvilluara në të njëjtën masë në një të ardhme të afërt./Telegrafi/


