Please enter at least 3 characters.

Tërmet me magnitudë 4.1 ballë në zonën e Korçës

Një tërmet me magnitudë 4.1 ballë të shkallës Rihter është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Korçës, duke u ndier fuqishëm në disa lokalitete të juglindjes së vendit.

Sipas të dhënave sizmologjike, epiqendra e tërmetit ka qenë në territorin e Greqisë, pranë zonës së Kosturit, ndërsa lëkundjet janë ndier më fort në aksin Hoçisht – Bilisht – Korçë.

Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar.

Pas lëkundjeve ka reaguar edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila ka bërë të ditur se tërmeti është regjistruar mbrëmjen e sotme, më 4 shkurt 2026, rreth orës 19:50.

“Gjatë mbrëmjes së sotme, 04.02.2026, ora 19:50, janë regjistruar disa lëkundje sizmike në qarkun Korçë, me epiqendër në zonën Hoçisht – Bilisht – Korçë, sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave. Magnituda maksimale ishte 4.1 ballë, ndërsa thellësia varionte nga 5 deri në 15 kilometra. Deri në këto momente nuk raportohet për dëme. Situata po monitorohet dhe çdo informacion i ri do të përcillet në vijim”, thuhet në njoftimin zyrtar.