Tensionet përshkallëzohen - SHBA-ja godet sërish Iranin
Ushtria amerikane thotë se ka kryer sulme të reja ndaj Iranit, ndërsa luftimet mes dy vendeve janë rikthyer.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), me bazë në Lindjen e Mesme, tha të martën se ka goditur objektiva të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
“Sulmet vijnë pas përpjekjeve të fundit të IRGC-së për të sulmuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit, si dhe pjesëtarët e shërbimit ushtarak amerikan të dislokuar në rajon”, njoftoi CENTCOM.
Irani më parë u është përgjigjur sulmeve të ngjashme amerikane, ndaj këto goditje rrezikojnë të shkaktojnë një cikël të ri luftimesh.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim raportoi për shpërthime në jug të vendit, përfshirë në Konarak, Bandar Abbas dhe ishullin Qeshm.
Sulmet e së martës vijnë pas shkëmbimit të goditjeve të dielën, kur ushtria amerikane sulmoi ishullin Larak në jug të Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me lëshimin e raketave ndaj një baze në Jordani ku janë të dislokuar trupa amerikane.
Përleshjet e së dielës shënuan sulmet e para nga të dyja vendet që nga korriku. Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump kishte thënë se po e ndryshonte strategjinë, duke kaluar nga sulmet ushtarake në presion të fortë ekonomik ndaj Iranit.
SHBA-ja ka vendosur një rrethim detar ndaj porteve iraniane, ndërsa ka kërcënuar partnerët tregtarë të Teheranit me sanksione dytësore.
Megjithatë, Irani vazhdon të pretendojë se kontrollon Ngushticën e Hormuzit – një arterie kryesore për tregtinë globale të energjisë. Në javët e fundit, Trump dhe këshilltarët e tij kanë thënë se SHBA-ja po arrin të transportojë çdo ditë miliona fuçi nafte përmes ngushticës, pavarësisht bllokadës iraniane.
Megjithatë, sulmet ndaj anijeve në zonën përreth ngushticës janë raportuar pothuajse çdo ditë.
Të hënën, Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) thanë se një cisternë nafte u godit nga tre “predha të panjohura” teksa po lundronte përmes Ngushticës së Hormuzit. /Telegrafi/


