Please enter at least 3 characters.

Temperaturat e larta, Franca paralajmëron kufizime në prodhimin e energjisë elektrike

Kompania shtetërore franceze e energjisë elektrike “Électricité de France” (EDF) paralajmëroi sot se për shkak të temperaturave të larta të ujit në lumin Garonne mund të detyrohet që nga java e ardhshme të kufizojë prodhimin e energjisë në dy centrale bërthamore.

Uji i lumit Garonne, në jugperëndim të Francës, përdoret për ftohjen e reaktorëve në disa centrale bërthamore, por temperatura e tij mund të kalojë kufirin e lejuar me rregullore, duke krijuar probleme për funksionimin normal të impianteve.

Për këtë arsye, EDF mund të kufizojë prodhimin në centralet bërthamore Blayais dhe Golfech, të cilat kanë kapacitete përkatësisht prej 3.6 gigavatësh dhe 2.6 gigavatësh. Temperaturat e larta pritet të ndikojnë gjithashtu edhe në prodhimin e energjisë në centrale të tjera bërthamore në lindje të Francës, të cilat përdorin ujin e lumit Rhone për ftohjen e reaktorëve.

Centrali bërthamor e rikthen ujin e përdorur në sistemin e ftohjes në mjedis, por vetëm brenda kufijve të caktuar të temperaturës për të shmangur dëmtimin e ekosistemit ujor. Gjatë verës së kaluar, EDF u detyrua të ndalonte punën e disa centraleve bërthamore për shkak të mbinxehjes së lumenjve.

Prodhimi i energjisë elektrike u ndërpre në centralet e Golfech dhe Blayais, ndërsa u vu në pikëpyetje edhe funksionimi i reaktorëve në centralin bërthamor të Bugey, raportojnë mediat.

Energjia bërthamore përbën rreth 70 për qind të konsumit vjetor të energjisë në Francë, duke e bërë vendin një nga shtetet më të varura nga kjo formë prodhimi në Evropë.

Sipas të dhënave të EDF, që nga viti 2000 prodhimi i energjisë elektrike në Francë është ulur mesatarisht me 0.3 për qind në vit për shkak të ndalimeve të përkohshme të centraleve bërthamore gjatë valëve të të nxehtit.

Vala e të nxehtit e vitit të kaluar u shtua mbi problemet ekzistuese me korrozionin në tubacionet e sistemeve të ftohjes së centraleve bërthamore. Specialistët dyshojnë se një nga shkaqet mund të jetë niveli më i lartë i oksigjenit në tubacione, si pasojë e ndryshimeve në prodhimin e energjisë që lidhen me luhatjet e furnizimit nga burimet e rinovueshme dhe rritjen e kërkesës gjatë pikut të konsumit.

EDF zakonisht kryen mirëmbajtje të centraleve bërthamore gjatë verës, por temperaturat ekstreme dhe ndryshimet klimatike po e bëjnë gjithnjë e më sfiduese menaxhimin e prodhimit të energjisë. /Telegrafi/