Please enter at least 3 characters.

Të rinjtë e Luginës mes shengenit dhe kafeneve!

Dekadave të fundit qyteti i Preshevës ka bërë një revolucion të madh në aspektin e shkollimit të gjinisë femërore, pasi që tani më jo se nuk ekziston ideja se femra nuk duhet të shkollohet, por përkundrazi, tani më në shkollat e qytetit të Preshevës vajzat kanë dominimin absolut, ku vetëm në shkollën e mesme "Skënderbeu" nga gjithsej 1.064 nxënës vajza janë 623.

Gjinia mashkullore në Preshevë, por edhe në tërë Luginën në një farë mënyre po i largohet rrugës së universiteteve, duke shpresuar në rrugën e mërgimit nga e cila shpresojnë se do të rregullojnë standardin jetësor. Nga viti në vit, sidomos tash kur shtetit serb i është mundësuar dalja jashtë shtetit, pasi që përfitoi nga liberalizimi i vizave nëpër zonën shengen, në Preshevë shumë qartë mund të shihet një zbrazje e qytetit nga rinia dhe kjo sigurisht se zbeh edhe perspektivën e këtij rajoni.

Problematikë tjetër thelbësore e qytetit të Preshevës, është edhe prania e madhe e kafeneve afër objekteve shkollore, e që një gjë e tillë sipas ligjit është e ndaluar, kjo sigurisht se ndikon në aspektin e edukimit të rinisë, pasi që ato frekuentohen jashtë mase edhe brenda për brenda orarit të mësimit - e kjo do të thotë degjenerim i një shoqërie.

Megjithatë, nuk do të thosha se është plotësisht faji i rinisë pse ata kohën e lirë e kalojnë nëpër kafene, pasi që para çdo kampanje parazgjedhore - premtim thuajse kryesor i çdo subjekti politik për të fituar mandat, ishte ndërtimi i palestrës sportive, plani i së cilës është përpiluar disa herë, madje është caktuar çmimi i saj që mendohej që të jetë diku afër 2 milion euro.

Sidoqoftë, pas çdo pushtet-marrjeje, jemi vërtetuar se një gjë e tillë ka mbetur vetëm në letër - pasi që të hapet sërish çështja e hallës së sporteve duhet të presim verën e 201, kur do të kemi zgjedhjet e ardhshme.

Deri atëherë, të shpresojmë që rinia preshevare, e sidomos ata që tani më janë nëpër shkollat e mesme, të vetëdijesohen se e ardhmja e tyre është vetëm dhe vetëm universiteti, e që duke iu falënderuar jashtë mase shtetit AMË Shqipërisë (Tiranës), Tetovës apo edhe Prishtinës që ua ka mundësuar shkollimin në gjuhën shqipe - qw të orientojnë veten nëpër pozicione të rëndësishme shoqërore, për çka çdo popull, e sidomos populli ynë ka nevojë jashtë mase.