‘Te Feronikeli, si në shtëpi’
Në stinorin vjeshtor, skuadra e Feronikelit kishte shumë telashe në repartin ofensivë. Kjo pasi ky ekip u ballafaqua me shumë lëndime të lojtarëve. Mirëpo, me transferimin e sulmuesit pejan, Egzon Gashi, ekipi i trajnerit Gani Sejdiu në pranverë pritet të ketë një zgjedhje më shumë në këtë repart.
Në një prononcim për gazetën, sulmuesi Gashi shprehet mjaft i kënaqur me pritjen që ia kanë bërë në ekipin nga Drenasi.
“Në Feronikel po ndihem shumë mirë. Përfundimisht e kam gjetur një grup të lojtarëve mjaft cilësorë me një trajner, i cili është shumë profesional. Po ashtu kryesia është e afërt me lojtarët dhe mjaft korrekte”
“Të gjitha këto më bëjnë të besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Për këtë arsye falënderoj të gjithë në klub për mikpritjen që më bën të ndihem si në shtëpi”, u shpreh Gashi për ‘Sport Plus’.
“Po punoj maksimalisht në stërvitje në mënyrë që të arrij formën e dëshiruar. Tifozëve të klubit ju premtoj që në pranverë do të jap maksimumin në mënyrë që kampionatin ta mbyllim në pozitën e parë”, përfundoi Egzon Gashi.


