Sveçla kundër Ramës për KfW-në: “Problemi ishte Komuna e Prishtinës, jo Ministria e Financave”
Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me projektin me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW).
Sveçla ka akuzuar Ramën se po tenton t’ia bartë përgjegjësinë Ministrisë së Financave për mosrealizimin e marrëveshjes, duke pretenduar se dokumentet tregojnë një tjetër situatë.
Sipas Sveçlës, marrëveshja nuk ka mundur të ecë përpara për shkak se Komuna e Prishtinës nuk e kishte përmbushur një nga kushtet e dakorduara, përkatësisht sigurimin e një kontrate afatgjatë për kompaninë “Pastrimi”.
Ai është thirrur në një email të kryeshefit aktual të “Pastrimit”, Petrit Reçica, drejtuar zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, ku, sipas Sveçlës, bëhej e ditur se vetëm Komuna e Prishtinës kishte mbetur pa e përmbushur kushtin përkatës.
“Pra, problemi nuk ishte Ministria e Financave. Problemi ishte dhe mbeti Komuna e Prishtinës dhe dështimi i saj për ta përmbushur obligimin që kishte marrë”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka kritikuar Ramën edhe për deklaratat e tij lidhur me këtë çështje, duke i cilësuar si përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë.
Në fund, Sveçla i është drejtuar Ramës me mesazhin: “Përparim, provo me diçka tjetër. As ky mashtrim nuk kalon.” /Telegrafi/


