Struga nis me fitore javën e 26-të, mposht Pelisterin me rezultat të pastër
Java e 26-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut është hapur sot me ndeshjen ndërmjet Strugës dhe Pelisterit, e zhvilluar buzë liqenit në Strugë, ku vendasit arkëtuan tri pikë të rëndësishme me një fitore të pastër 4-1, njofton Telegrafi.
Pjesa e parë solli raste nga të dyja anët, ndërsa të dyja golat u shënuan nga pika e bardhë. Fillimisht, në minutën e 22-të, sulmuesi nigerian Kehinde kaloi Strugën në epërsi, duke realizuar nga penalltia. Por vetëm tetë minuta më vonë, Pelisteri reagoi dhe barazoi shifrat, kur Ristevski ekzekutoi saktë një tjetër penallti për mysafirët.
Në minutat e fundit të pjesës së parë, Pelisteri mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Boshkovski u ndëshkua me karton të kuq, duke i komplikuar gjërat për skuadrën nga Manastiri.
Këtë epërsi numerike, Struga e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe menjëherë në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 47-të, Vllajkoviq riktheu avantazhin për vendasit. Nga ai moment, struganët morën kontrollin e plotë të lojës dhe nuk lejuan që fitorja t’u ikë nga duart. Në minutën e 75-të, mesfushori Bunjamin Shabani shënoi golin e tretë. Në minutën e pestë të kohës shtesë, përsëri në skenë doli nigeriani Kehinde, i cili shënoi një gol të bukur me kokë, duke vulosur fitoren dhe duke e konfirmuar dominimin e skuadrës strugane.
Struga me këtë fitore vazhdon ndjekjen e pozicioneve të para në renditje dhe mban të gjallë shpresat për një vend që siguron pjesëmarrje në garat evropiane.
Kampionati vazhdon nesër me ndeshjet e tjera të javës së 26-të, ku nga ora 15:00 zhvillohen takimet: Besa – Gostivari, Shkupi – Rabotniçki, Tikveshi – Shkëndija, Voska Sport – Sileksi dhe AP Brera – Vardari. /Telegrafi/


