STIRKOFF
Nga: Charles BukowskiPërktheu: Leonora Buçinca
- Ulu, Stirkoff!
- Faleminderit, zotëri!
- Rehatoi edhe këmbët.
- Shumë e sjellshme nga ana juaj, zotëri.
- Stirkoff, më kanë informuar se ju keni shkruar artikuj mbi drejtësinë, barazinë; edhe mbi të drejtën për lumturi dhe mbijetesën... Stirkoff?
- Po zotëri.
- A mendoni se do të ketë ndonjëherë drejtësi të plotë dhe të arsyeshme në tokë?
- Jo tamam, zotëri.
- Por, atëherë, pse i shkruani këto mutësi? A ndoshta jeni i sëmurë?
- Ndihem ndryshe prej disa kohësh në këtë pjesë, zotëri, sikur jam gati të çmendem.
- Pini shumë, Stirkoff?
- Natyrisht, zotëri.
- Dhe bëni sende të vogla vetëm?
- Gjatë gjithë kohës, zotëri.
- Si?
- Nuk kuptoj, zotëri.
- Kështu pra, si është, si i bëni?
- Katër ose pesë vezë dhe një kilogram mish të grirë në një saksi lulesh, me qafë të ngushtë, ndërsa jam duke dëgjuar Vaughn Williams apo Darius Milhaud.
- Të qelqit?
- Jo, të qiellit, zotëri.
- Desha të them, vazoja është bërë prej qelqi?
- Natyrisht që jo, zotëri.
- A ke qenë ndonjëherë i martuar?
- Shumë herë, zotëri.
- Ulu, Stirkoff.
- Faleminderit, zotëri!
- Çfarë shkoi keq?
- Të gjitha, zotëri.
- Cila ishte copa më e bukur e pidhit që ju keni pasur ndonjëherë?
- Katër ose pesë vezë dhe një kilogram mish i grirë në një...
- Dakord, pajtohem!
- Po, zotëri.
- A e kuptoni, që dëshira juaj për drejtësi dhe një botë më të mirë është vetëm një justifikim për t’i fshehur rënien, turpin dhe dështimin që janë brenda jush?
- Epo.
- Babai yt ishte i keq?
- Nuk e di, zotëri.
- Çfarë do të thotë nuk e di?
- Dua të them se është vështirë të bësh krahasime. Baba kam pasur vetëm një.
- Po përpiqeni të ma hidhni dhe mua, Stirkoff?
- Oh, jo zotëri, siç thoni ju, drejtësia është e pamundur.
- Të rrihte yt atë?
- E bënin me ndërrime.
- Mendova se kishe vetëm një baba.
- Ashtu si gjithë të tjerët, doja të thosha se bënte zgjidhje me nënën time.
- Ta donte të mirën nëna?
- Unë isha vetëm një zgjatim i personit të saj.
- Çfarë tjetër mund të jetë dashuria?
- Një cak i përbashkët ku, sipas saj, merr kujdes të madh për një gjë shumë të mirë. Ajo nuk është e lidhur domosdoshmërisht me lidhjet e gjakut. Ajo mund të jetë një tullumbace e kuqe ose një copë bukë e lyer me gjalpë.
- Ju doni të thoni se do të donit një copë bukë të lyer me gjalpë?
- Vetëm pak, zotëri, në disa mëngjese të veçanta, nën disa rreze dielli, dashuria vjen dhe shkon pa paralajmërim.
- A është e mundur të duash një qenie njerëzore?
- Natyrisht, veçanërisht në qoftë se nuk e njohim mirë. Më pëlqen t ’i shoh njerëzit nga pas dritares, kur ecin nëpër rrugë.
- Ju jeni një frikacak, Stirkoff.
- Natyrisht, zotëri.
- Cili është përkufizimi juaj për një frikacak?
- Një njeri që mendon dy herë para se të luftojë kundër një luani vetëm me duart e tij.
- Dhe si do ta përkufizoje një trim?
- Një njeri që nuk e di se çfarë është një luan.
- Dhe si e përkufizon një budalla?
- Një njeri që nuk arrin të kuptojë që koha, struktura dhe mishi pothuajse gjithmonë harxhohen kot.
- Por, atëherë, kush është i dituri?
- Të diturit nuk ekzistojnë, zotëri.
- Nëse është kështu, nuk ekzistojnë as budallenjtë. Pa natën nuk do të ekzistonte as dita; pa të zi as e bardha nuk do të ekzistonte.
- Më vjen keq, zotëri. Unë gjithmonë kam menduar se çdo gjë, ndoshta, është ajo, pa marrë parasysh ekzistencën e diçkaje tjetër.
- E keni futur karin në shumë saksi lulesh, a s’mund ta kuptoni se çdo gjë është e drejtë atje, dhe asgjë nuk mund të shkojë keq?
- E kuptoj, zotëri, të shkojë si të shkojë.
- Çfarë do të thuash nëse bëj sikur të ta pres kokën?
- Nuk mund të them asgjë zotëri.
- Desha të them në qoftë se do të ta prisja kokën, unë do të mbetesha Mundësia dhe ju do të bëheshit Asgjëja.
- Do të bëhesha diçka tjetër.
- Për qejf timin.
- Për qejfin tonë, zotëri.
- Qetësohu! Qetësohu! Shtriji këmbët!
- Shumë e sjellshme nga ana juaj, zotëri.
- Jo, shumë e sjellshme nga ana e të dyve.
- Pranoje që shpesh keni ndjenjën e të qenit i çmendur. Çfarë bëni kur e keni këtë ndjenjë?
- Shkruaj poezi.
- Poezia përkon me çmenduri?
- Jo. Poezia është çmenduri.
- Çfarë është çmenduria?
- Çmenduria është horror.
- Ç’është horrori?
- Diçka e ndryshme për çdo person.
- Por horrori është pjesë e një e tëre?
- Është atje.
- E kjo pjesa e një e tëre?
- Nuk e di, zotëri.
- E vërteton që je urtak, ç’është mençuria?
- Të dish sa më pak të jetë e mundur.
- Si bëhet kjo?
- Nuk e di, zotëri.
- A dini të ndërtoni një urë?
- Jo, zotëri.
- A dini të ndërtoni një pushkë?
- Jo, zotëri.
- Këto janë objekte të produkteve të njohurive.
- Këto objekte janë ura dhe pushkë.
- Unë do të urdhëroj të ta presin kokën.
- Faleminderit, zotëri!
- Pse?
- Ju përfaqësoni motivimet e mia, ndërsa unë kam shumë pak.
- Unë jam Drejtësia.
- Ndoshta!
- Unë jam fituesi. Unë do të bëj të të torturojnë. Unë do të të bëj të bërtasësh. Unë do të bëj ta dëshironi vdekjen.
- Sigurisht, zotëri.
- A nuk mund të kuptoni se unë jam pronari yt?
- Ju jeni manipulatori im e nuk mund të bëni asgjë që nuk mund të bëhet.
- Mendoni se jeni i zgjuar, por nuk do të thoni asgjë të zgjuar në mes të një ulërime dhe tjetrës.
- Dyshoj për këtë, zotëri.
- Rastësisht, si mund ta mbani Vaughn Williamsin dhe Darius Milhaudin? Nuk keni dëgjuar për Beatlesin?
- Oh, zotëri, të gjithë i njohin ata.
- Nuk ju pëlqejnë?
- Nuk më bezdisin.
- A ka ndonjë këngëtar që nuk ju pëlqen?
- Është e pamundur të ekzistojnë këngëtarë të pëlqyer.
- Të themi, pra, ndonjë nga njerëzit që përpiqeni ta këndoni?
- Frank Sinatra.
- Pse?
- Sepse ai zgjon një shoqëri të sëmurë pas shpinës së një shoqërie të sëmurë.
- Lexoni ndonjë gazetë?
- Vetëm një.
- Cilën?
- Qyteti i Hapur.
- Roje! Çojeni menjëherë këtë njeri në dhomën e torturës dhe filloni punën.
- Një dëshirë të fundit, zotëri.
- Po.
- A mund ta marr me vete saksinë e luleve?
- Jo, do ta përdor unë.
- Zotëri?
- Desha të them se do të ta konfiskoj. Roje, çoje këtë njeri larg dhe kthehu përsëri këtu, kthehu këtu me...
- Po zotëri...
- Një gjysmë duzinë vezë dhe një kile mish të grirë...
Dalin roja dhe i burgosuri. Mbreti përkulet pak përpara dhe bën një ngërdheshje të ligë, ndërsa në radio fillon transmetimi i një kënge të Vaughn Williamsit. /Revista “Akademia”/


