Specialja lë në fuqi urdhrin, Pjetër Shala duhet të kompensojë viktimat me 208 mijë euro
Më 29 janar 2026, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Pjetër Shalës ka lëshuar vendimin e parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) lidhur me një apel kundër urdhrit për zhdëmtim.
Paneli i përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen la në fuqi urdhrin për zhdëmtim të Trupit Gjykues ndaj z. Shala, pas shpalljes së tij fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, torturën dhe vrasjen e paligjshme, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Në këtë proces morën pjesë gjithsej tetë viktima, të cilat kërkuan zhdëmtim. Më 29 nëntor 2024, Trupi Gjykues kishte urdhëruar Pjetër Shalën që të paguajë 208 mijë euro si kompensim për dëmet fizike, mendore dhe materiale të pësuara nga viktimat pjesëmarrëse.
Apeli i Shalës përmbante pesë pika, përmes të cilave ai pretendonte se Trupi Gjykues kishte gabuar në interpretimin e ligjit të shkakësisë, në vlerësimin e provave për dëmin material, si dhe në përcaktimin e përgjegjësisë së tij për zhdëmtim, duke e cilësuar shumën si joproporcionale dhe të tepruar në raport me rolin e tij dhe gjendjen financiare.
Po ashtu, Shala kishte kërkuar që shqyrtimi i apelit për zhdëmtim të pezullohej deri në përfundimin e apelit kundër verdiktit të fajësisë dhe dënimit.
Megjithatë, Paneli i Gjykatës së Apelit i rrëzoi të pesë pikat e apelit, duke mos konstatuar gabime as në interpretimin e ligjit dhe as në vlerësimin e provave nga Trupi Gjykues. Paneli vlerësoi se kërkesa për pezullim ishte e tejkaluar, pasi aktgjykimi i apelit lidhur me fajësinë ishte lëshuar më 14 korrik 2025.
Gjykata theksoi se procesi i zhdëmtimit nuk ka cenuar të drejtat e Pjetër Shalës për një procedim të drejtë dhe të shpejtë, duke konstatuar se ai kishte pasur mundësi të plotë për të ushtruar të drejtën e apelit.


