Ndërpritet seanca, Kurti nuk prezanton emër për kryeparlamentar - kërkon kohë shtesë për marrëveshje politike
Sot është mbajtur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Në këtë seancë u bë betimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërkaq pas kësaj pike të rendit të ditës seanca u ndërpre.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së kërkoi kohë shtesë për marrëveshje politike me partitë.
E pas kësaj, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari tha se meqenëse nuk kanë emër për kryetar/e të Kuvendit, ndërpret punimet e seancës.
Telegrafi.com vazhdon do t’ju mbajë të informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet rreth seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit dhe zhvillimet e fundit.
06/08/2026 12:22-Tahiri: Po blihet kohë për t’i marrë tri institucionet
Në lidhje me situatën e krijuar reagoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të procesit të konstituimit të institucioneve.
Tahiri tha se qytetarët janë dëshmitarë të një situate që, sipas tij, është e dëmshme për vendin.
"Tani jeni dëshmitarë të një tendence të skajshme, jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën. Më 8 korrik janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, ndërsa sot del kryetari i LVV-së dhe u thotë qytetarëve të Kosovës se na duhet ende kohë. Por a nuk patët 30 ditë kohë? Problemi kryesor nuk është te Qeveria e as te Kuvendi, por te Presidentja. A po doni të krijoni edhe një rast në Gjykatën Kushtetuese? Kjo është vetëm për të blerë pak kohë që t’i marrin tri institucionet, e ato nuk i takojnë një partie politike, sepse nuk i ka votat. Asnjë fjalë nuk u tha për gjashtë kërkesat. Sot del e flet në mënyrë të papërgjegjshme duke thënë se na duhet ende kohë", u shpreh Tahiri.
06/08/2026 12:20-Hamza akuzon LVV-në për mungesë serioziteti
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, pas përfundimit të seancës së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën se si është menaxhuar procesi i konstituimit të institucioneve.
Hamza tha se zhvillimet e seancës dëshmojnë mungesë serioziteti dhe përgjegjësie nga subjekti që ka dalë i pari në zgjedhje.
06/08/2026 11:46- Ndërpritet seanca e Kuvendit, Kurti kërkon kohë shtesë për marrëveshje politike
Është ndërprerë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje pasi mori fjalën në Kuvend tha se iu nevojitet kohë shtesë për marrëveshje politike me partitë, duke mos prezantuar kështu emrin e LVV për kryetar/e të Kuvendit.
06/08/2026 11:38- Betohen deputetët e Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë betuar sot në seancën konstituive të Kuvendit.
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, thuhet në tekstin e betimit.
06/08/2026 11:35- Komisioni verfikon mandatet dhe kuorumin
Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të dokumentacionit konstaton se janë certifikuar 120 deputetë.
Komisioni po ashtu ka konstatuar vlefshmërinë e mandateve të deputetëve si dhe kuorumin.
Të pranishëm në Kuvend janë 119 deputetë.
Raporti i Komisionit u votua edhe nga Kuvendi.
06/08/2026 11:23-
Një incident verbal është regjistruar gjatë protestës së mbajtur para Kuvendit të Kosovës, ku njëri nga protestuesit u është drejtuar me tone të ashpra kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, si dhe deputetit Enver Hoxhaj.
Teksa zyrtarët e PDK-së po hynin në objektin e Kuvendit, protestuesi u bërtiti duke shprehur pakënaqësinë e tij ndaj përfaqësuesve politikë.
“Marre duhet me ju ardhë, turp për votat që i keni se duheni me na përfaqësu”, dëgjohet duke thënë protestuesi, ndërsa fjalët e tij ishin të drejtuara ndaj Bedri Hamzës dhe Enver Hoxhajt.
Gërvalla: Legjislatura e XI-të do të jetë e zhvillimit të madh ekonomik dhe reformës në drejtësi
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se po shkojnë që ta konstituojnë legjislaturën e XI-të të Kuvendit të Kosovës dhe se po përpiqen që të dalin nga një situatë që s’po i pëlqen askujt, aq më pak qytetarëve.
Gërvalla tha se është plot optimizëm që legjislatura e XI-të që pritet të konstituohet pas pak, do të jetë e zhvillimit të madh ekonomik dhe e reformës së thellë në drejtësi.
06/08/2026 10:27- Mblidhet Komisioni për verifikim të mandateve – Kuvendi 30 minuta pauzë
Ka filluar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Seanca po udhëhiqet nga deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari
Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandatit të deputetëve u votua me 117 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.
Pas formimit të Komisionit, i njëjti është mbledhur për verifikim të mandateve, gjersa Kuvendi është aktualisht në 30 minuta pauzë.
06/08/2026 10:15-Gjini: Ky mandat është një përgjegjësi e madhe ndaj secilit qytetar që na ka besuar
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka uruar gjithë deputetët e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.
Gjini përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ky mandat është një përgjegjësi ndaj secilit qytetar.
“Punë të mbarë dhe shumë suksese të gjithë deputetëve të Kuvendit në seancën e sotme konstituive, e në veçanti grupit tonë të deputetëve të Aleancës! Ky mandat është një përgjegjësi e madhe ndaj secilit qytetar që na ka besuar. Jam plotësisht i bindur se ekipi i Aleancës do të jetë zëri më i fuqishëm i arsyes, zhvillimit dhe stabilitetit në këtë legjislaturë. Qëndrimi ynë si Aleancë ka qenë dhe mbetet plotësisht i qartë dhe transparent. Suksese të gjithëve dhe ju priftë e mbara”, ka shkruar Gjini.
06/08/2026 09:56- Balje: Nuk kam arsye të ndryshoj qëndrim nga hera e fundit, nuk votoj sot
Deputetja e zgjedhur nga Partia Boshnjake Socialdemokrate tha sot para seancës konstituive se nuk ka pas asnjë takim me Albin Kurtin ose zyrtarë të kësaj partie dhe sipas saj nuk ka ndryshuar qëndrim nga mënyra si ka votuar herët e fundit.
Ajo tha se sot nuk ka votë në Kuvend.
“Unë nuk ndryshoj qëndrim prej herës së fundit... Kurgjo nuk ka ndryshuar mes partisë sime dhe Vetëvendosje dhe nuk kam asnjë arsye me reagu brenda kuvendit ndryshe, qysh kam reagu herën e fundit... Për presidentin ende nuk kemi folur me asnjë parti. Unë jam duke pritur çka ka me ndodh se nuk kam informacion.
Mes meje dhe Vetëvendosjes nuk ka besim. As ata nuk besojnë qysh unë funksionoj e punoj dhe as unë nuk kam besim... Sot nuk votoj asgjë...”, tha ajo.
06/08/2026 09:46- Haxhiu nuk tregon a do të jetë sërish kandidate për kryetare të Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës ndërsa nuk tregoi nëse do të jetë sërish kandidatë për ta mbajtur pozitën numër një në këtë institucion.
Ajo nuk dha përgjigje kur u pyet nga gazetarët nëse do të jetë sërish emri i propozuar nga Vetëvendosje për kryeparlamentare.
Në orën 10:00 pritet të nisë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për Legjislaturën e XI-të.
06/08/2026 09:45- A ka propozuar PDK-ja emër për president? Hamza: Nuk kemi diskutuar për poste
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se deri tani askush nuk i ka kërkuar mbështetje kësaj partie, duke theksuar se PDK-ja nuk ka zhvilluar asnjë diskutim për ndarjen e pozitave institucionale.
Para nisjes së seancës konstituive, Hamza tha se fokusi i PDK-së mbetet te programi dhe prioritetet qeverisëse, e jo te ndarja e posteve.
“Po hyjmë në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Askush nuk ka kërkuar përkrahje nga ne. Edhe në të kaluarën nuk kanë përkrahur kandidatët e PDK-së. Sa i përket nënkryetarëve të Kuvendit, ne kemi një nënkryetar dhe, si parti e dytë për nga numri i ulëseve, e mbështesim kandidatin e propozuar nga PDK-ja për atë pozitë”, deklaroi Hamza.
06/08/2026 09:41- Haziri: Jemi në bashkëpunim me partinë e parë, po bisedojmë për një marrëveshje
Lutfi Haziri, deputet i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës në një deklaratë për media para seancës konstituive tha se LDK është në bisedime me partinë e parë për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Haziri theksoi se mësimi më i madh që duhet të nxirret është që zgjedhjet të mos përsëriten.
“Mësimi më i madh që duhet ta nxjerrim të gjithë është që 9 shkurti dhe 28 dhjetori të mos përsëritet, në kuptimin e mosarritjes së bashkëpunimit, mosarritjes së marrëveshjeve, moszbatimit të vullnetit qytetar për zgjedhjet. Tani jemi në bashkëpunim me partinë e parë, jemi duke biseduar për të ndërtuar një marrëveshje funksionale në interes të agjendës së Republikës. Ende jemi në nivelin e diskutimeve lidhur me parimet e funksionimit të një bashkëpunimi, i cili do të jetë i qëndrueshëm e do t’i japë vendit stabilitet e normalitetit. Sot do të konstituohet Kuvendi sipas rezultatit zgjedhor...”, tha ai.
06/08/2026 08:52- Bajrami: LDK e do pozitën e presidentit, jo të kryeministrit
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami deklaroi të mërkurën para gazetarëve se nëse LDK-ja do të merrte pozitën e presidentit do të arrihej një balancë e pushteteve.
Bajrami në një deklaratë për media tha se atëherë do ta konsideronin me shumë kuriozitet ofertën e lëvizjes Vetëvendosje për ndarje pushteti.
“Kur kemi marrëveshje të tilla ku do të thosha ofrohet nga zoti Kurti disa pozita në qeveri të cilat në fakt pas disa javëve edhe mund t'i marrë, po edhe marrëveshje të tjera ku LDK-ja potencialisht mund ta marrë pozitën e presidentit dhe kjo konsideroj që është një balancë e pushteteve për Kosovën dhe pastaj natyrisht që do ta konsiderojmë me shumë seriozitet”, tha Bajrami.
Ajo tha se është kundër shkuarjes prapë në zgjedhje dhe se është pro një marrëveshjeje të mirë për Kosovën, rrjedhimisht edhe për LDK-në.
06/08/2026 08:50- Sot seanca, por partitë ende pa marrëveshje politike
Takimi i radhës i së mërkurës ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Kurti dhe Abdixhiku u takuan pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, por edhe aidiskutim nuk solli një dakordim përfundimtar mes dy partive.
“Nuk kemi lajme, përderisa nuk kemi marrëveshje. Kur ta realizojmë marrëveshjen, do të mund t’ju njoftojmë”, deklaroi Kurti pas takimit.
E seanca konstituive që do të mbahet sot në ora 10:00 zhvillohet pa ndonjë marrëveshje politike.


