Sot mbyllet afati për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhje
Sot, më 30 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbyll afatin për aplikim online për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve të 7 qershorit dhe aktiviteteve të tjera pas ditës së zgjedhjeve.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili për RTK ka treguar se kush mund të aplikojë për t’u akredituar si vëzhgues.
“Deri në përfundim të ditës së sotme, e shtunë, 30 maj 2026, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve”, njoftoi Elezi.
Elezi tha se edhe në këto zgjedhje KQZ ka paraparë një program të veçantë për vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, që përfaqësojnë institucione që merren me organizimin e zgjedhjeve dhe organizata të specializuara në këtë fushë.
“Programi për vëzhguesit ndërkombëtarë ka për qëllim të prezantojë sistemin zgjedhor të Republikës së Kosovës, kornizën ligjore dhe administrimin e zgjedhjeve. Vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët përfaqësojnë institucione që merren me organizimin e zgjedhjeve në vendet e tyre dhe organizata të specializuara në fushën e zgjedhjeve, do të kenë mundësi që të përcjellin nga afër aktivitete të ndryshme, duke filluar shpërndarjen e materialeve zgjedhore, hapjen e vendvotimeve dhe votimin në komuna të ndryshme dhe procesin e numërimit të fletëvotimeve”, tha Elezi.
Sipas tij, në kuadër të këtij programi, vëzhguesve do t’u mundësohen vizita institucionale dhe aktivitete me karakter kulturor, për njohjen e vendit.
Elezi theksoi se për KQZ-në vëzhgimi i zgjedhjeve ka rëndësi të veçantë, pasi rrit besueshmërinë në proces dhe ndihmon në identifikimin e mangësive.
“Vëzhgimi i zgjedhjeve është një element thelbësor për garantimin e transparencës, integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor. Për KQZ-në, angazhimi i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë paraqet një mekanizëm të rëndësishëm mbikëqyrës, i cili ndikon në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj procesit zgjedhor. KQZ e vlerëson vëzhgimin si të domosdoshëm, pasi ai mundëson përcjelljen e të gjitha fazave të zgjedhjeve – duke nisur nga përgatitjet, dita e votimit, e deri te numërimi dhe shpallja e rezultateve”, tha Elezi.
Sipas KQZ-së, vetëm vëzhguesit e akredituar nga KQZ do të mund të vëzhgojnë procesin përgatitor, zgjedhjet dhe aktivitetet në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Si bëhet aplikimi?
Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatave joqeveritare, organizatave qeveritare/ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare të specializuara në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut, mediave dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) plotëson online të dhënat në platformën: https://apliko.kqz-ks.org
Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) e shqyrton dhe e miraton ose e refuzon aplikimin fillestar. Pas vërtetimit, ZRCKFSP i dërgon përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për qasje në platformë, për të bashkëngjitur të dhënat e personave të organizatës ose medias që kërkon akreditim.


