Skuadra nga Drenasi vlerësohet favorite nga të gjithë
Pos që dominoi, Nikli mund të ndihet në presion për shkak të favorizimit që i bëhet nga të gjitha skuadrat e tjera.
Skuadra e futbollit nga Drenasi mbrojtjen e titullit të kampionit e nis në fundjavë me ndeshjen në udhëtim kundër skuadrës së Prishtinës. Trajneri i Ferronikelit, Gani Sejdiu, pranon se presioni është i madh te futbollistët, por ka shtuar se ai po punon me ta edhe në këtë aspekt, në mënyrë që mos të ketë telashe gjatë garave. Sejdiu është i bindur se futbollistët e tij me sukses do ta bartin edhe barrën e favoritit.
"Ekziston një lloj presioni psikologjik ndaj ekipit tonë dhe është me rëndësi se ne po përgatitemi edhe në këtë aspekt që ta përballojmë presionin. Duhet patjetër ta përballojmë edhe këtë presion për shkak se e kemi për detyrë, pasi edicionin e shkuar rrëmbyem gjithë trofetë", ka thënë Sejdiu të mërkurën.
"Futbollistët e kanë parasysh presionin për shkak se kërkesa dhe pritshmëria është e madhe. Besoj se ata do të tregojnë një karakter dhe mentalitet për t'ia dalë mbanë. Jam i bindur se së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë për shkak se atmosfera në klub është e mirë dhe të gjithë e përkrahim njëri-tjetrin".


