Please enter at least 3 characters.

Simeone konfirmon interesimin e fortë të gjigantit anglez për transferimin e Alvarez

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka reaguar ndaj raportimeve që e lidhin Julian Alvarez me një kalim të mundshëm te Arsenali gjatë verës, duke pranuar se “Topçinjtë” janë ndër klubet elitare që po e monitorojnë sulmuesin argjentinas.

Duke folur përpara ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj liderëve të Ligës Premier, Simeone tha se është “normale” që sulmuesi i tij kryesor të jetë në shënjestër të gjigantëve të futbollit europian.

Në prag të ndeshjes së parë në “Metropolitano”, Simeone u pyet drejtpërdrejt për raportimet se Arsenali po shqyrton një tentativë verore për Alvarez.

Sulmuesi, i cili iu bashkua Atleticos nga Manchester City në vitin 2024, është kthyer në një nga emrat më të kërkuar në futbollin europian, pas shifrave mbresëlënëse: 48 gola në 104 ndeshje me ekipin spanjoll.

Simeone e pranoi hapur se niveli i lojtarit e bën atë objektiv për klubet më të mëdha në botë.

“Unë thjesht supozoj se është normale. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ka interes nga Arsenali, Paris Saint-Germain, Barcelona dhe ekipe të tjera. Por nuk është diçka për të cilën ne shqetësohemi”, u shpreh Simeone.

Sipas raportimeve, Arsenali e sheh Alvarez si finalizuesin që i nevojitet për t’u shndërruar në një forcë dominuese si në garat vendase, ashtu edhe në skenën europiane.

Megjithatë, Atletico ka lënë të kuptohet më herët se nuk ka dëshirë ta shesë, ndërsa lojtari raportohet se vlerësohet rreth 87 milionë euro nga klubi spanjoll.

Për më tepër, thuhet se Alvarez preferon të qëndrojë në Spanjë, qoftë te Atletico, qoftë me një kalim te një tjetër klub i La Ligës, në vend që të rikthehet në Angli, ndërsa Barcelona raportohet se është klubi spanjoll më i interesuar për shërbimet e tij./Telegrafi/