Si të përballeni me një fëmijë kokëfortë: Kjo është qasja që funksionon vërtet
Jeta e prindërve që kanë një fëmijë kokëfortë mund të jetë sfiduese: nga larja e dhëmbëve, te ushqimi apo shkuarja në gjumë, gjithçka shpesh duket si një betejë ku rrallë ka fitues
Edhe pse mund të jetë një fazë e përkohshme zhvillimi ose një tipar karakteri me të cilin duhet të mësoheni, është mirë të dini se fëmijët me vullnet të fortë shpesh kanë potencial të madh për sukses. Studime kanë treguar se ata kanë më shumë gjasa të arrijnë rezultate të mira dhe të jenë të suksesshëm në të ardhmen.
Sfida e disiplinës
Prindërit e fëmijëve kokëfortë përballen me sfida të veçanta kur bëhet fjalë për disiplinën. Kërkesat e thjeshta apo ndëshkimet shpesh kthehen në përplasje ku asgjë nuk funksionon.
Në këto momente, prindërit mund të ndihen sikur nuk kanë kontroll. Por duhet kuptuar se qëllimi i disiplinës nuk është ndëshkimi, por mësimi i vlerave.
“Ju nuk mund të kontrolloni personalitetin e fëmijës, por mund të ndikoni në atë që ai mëson”, theksojnë ekspertët.
Vendosja e kufijve të qartë
Hapi i parë është të mos hiqni dorë nga autoriteti.
Vendosni kufij të qartë që nuk kalohen, pavarësisht emocioneve. Kur fëmija zemërohet, bërtet apo sillet në mënyrë agresive, tregojini qartë se ku është kufiri.
Në vend që të reagoni me nervozizëm, mund të thoni: “E shoh që je i/e zemëruar. Sa e madhe është kjo ndjenjë nga 1 në 10? Çfarë mund të bësh që të ndihesh më mirë?”
Kjo qasje e ndihmon fëmijën të ndihet i dëgjuar dhe i kuptuar. Sa më shumë të ndihet kështu, aq më shumë do të jetë i gatshëm të dëgjojë, transmeton Telegrafi.
Rregulla të thjeshta që funksionojnë
Një tjetër hap i rëndësishëm është vendosja e rregullave të qarta familjare.
Ekspertët rekomandojnë tre rregulla bazë që vlejnë për çdo situatë:
- siguria
- mirësia
- respekti
Fëmijës duhet t’i bëhet e qartë se çdo sjellje që nuk përmbush këto parime nuk është e pranueshme.
Por këto rregulla funksionojnë vetëm nëse zbatohen vazhdimisht.
Mos u bëni pjesë e konfliktit
Nëse fëmija ju thotë “Nuk të dëgjoj” apo “Të urrej”, reagimi i menjëhershëm me nervozizëm vetëm sa e përkeqëson situatën.
Mos bërtisni dhe mos reagoni me agresivitet. Ju nuk jeni kundërshtari i fëmijës suaj.
Detyra juaj si prind është të tregoni qetësi, të dëgjoni dhe të udhëhiqni. Fëmijët nuk mund të mësojnë të kontrollojnë veten nëse ne, si të rritur, nuk e bëjmë këtë.
Qasja që jep rezultat
Çelësi është ta shihni fëmijën si individ në zhvillim.
Qëllimi nuk është ta detyroni të hajë perime, të ndajë lodrat apo të bëjë detyrat. Qëllimi është ta ndihmoni të kuptojë pse këto janë zgjedhje të mira dhe ta motivojë veten për t’i bërë.
Në fund, detyra e prindit është e qartë: të edukojë, të udhëheqë dhe të mbështesë fëmijën që të bëhet versioni më i mirë i vetes. /Telegrafi/


