Si të hiqni më shpejt qimet e kafshëve nga rrobat - pa rul dhe pa mundim
Nëse ju bezdisin qimet që ngjiten në rrobat e errëta, ekziston një truk i thjeshtë që do t’ju ndihmojë të harroni këtë problem të vogël, por të bezdisshëm
Kushdo që ka një kafshë shtëpiake që lëshon qime, e di sa e vështirë është të veshësh rroba të errëta pa u mbuluar me to. Shpesh, fijet janë aq të holla sa futen thellë në materialin e xhemperit, bluzës apo pantallonave të preferuara.
Në vend që para çdo larjeje të humbni kohë me rul ngjitës për heqjen e pluhurit dhe qimeve, mund të provoni një metodë shumë më të thjeshtë që nuk kërkon asnjë përpjekje shtesë.
Ja si funksionon:
Para se të ndizni rrobalarësen dhe të mbushni tamburin me rroba, shtoni një pecetë të lagur brenda. Për çdo 7-8 kilogramë rroba, mos vendosni më shumë se tre peceta njëherësh.
Nëse nuk doni që rrobat të marrin aromën e pecetës, zgjidhni ato antibakteriale ose pa aromë.
Falë strukturës së tyre, pecetat e lagura veprojnë si magnet për papastërtitë dhe janë jashtëzakonisht efektive për mbledhjen e qimeve, transmeton Telegrafi.
Këshilla shtesë:
- Para larjes, shkundni dhe çlironi rrobat, mos i fusni të mbledhura.
- Gjatë rrotullimit të tamburit, pecetat do të përzihen me rrobat dhe do të mbledhin qimet.
- Zgjidhni peceta të trasha dhe rezistente, që nuk shpërbëhen gjatë larjes.
Rezultati? Rroba të pastra, pa qime, dhe një tambur rrobalarëse më i pastër se zakonisht. /Telegrafi/


